E Diel, 1 Nëntor 2026

NJE ZE NE SHKRETETIRE

E pat thënë dikur një ndër protagonistët e krizës së Kosovës, Riçard Hollbruk: "Statusi i Kosovës do të ishte duhur të vendosej menjëherë pas çlirimit të saj. Vonesat që rrodhën nga konjuktura të paparashikueshme e të parashikueshme (Hollbruk i referohet sigurisht ndërrimit të administratës amerikane) e bënë gjithnjë e më të ndërlikuar procesin. Vende, deri atëherë protagoniste e aktive në çështjen e Kosovës, u squllën, ndërkohë që vende me qëndrime të dyshimta në vitin 1999, si Rusia apo Rumania, apo vetë fajtori e simboli i së keqes, Serbia, arritën të infiltrojnë në tryezat vendimmarrëse, duke sjellë përthyerje shqetësuese".

Në këtë libër të tij të ri, i mirënjohuri Shaban Murati zgjedh pikërisht këtë periudhë të trazuar të zhvillimeve diplomatike rreth Kosovës, për të zbuluar pritat e panumërta që kjo çështje hasi kur pas ngjarjeve të dhunshme të marsit 2004, vendimmarrësit e mëdhenj, të mbledhur në Grupin e Kontaktit, u bindën se "status quo"-ja e zgjedhur pakuptimërisht prej tyre, nuk mund të mbahej më. Filluan kështu lëvizjet për përcaktimin e statusit final të Kosovës, që rezultuan më të vështirat që diplomacia botërore ka përballuar ndonjëherë në zgjidhjen e çështjeve të ngjashme. Problemet, sigurisht, filluan që kur çështja e Kosovës u reduktua me fushatën e spastrimit etnik të ndërmarrë nga regjimi i Millosheviçit në vitet 1998-1999. Shumë pak, për të përmbledhur arsyet historike, politike, morale e ligjore që e bëjnë të domosdoshme pavarësinë e Kosovës. Si asnjëherë tjetër, në trajtimin e këtij problemi u injoruan pikënisje themelore, si ajo e shprehur me qartësi teutonike nga ambasadori gjerman në Beograd, Zëbel (dhe e nënvizuar fort nga Murati), pas të cilit diskutimi mbi statusin e Kosovës duhet të fillojë me postulatin historik se "Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Serbisë". Në fakt, në gati njëqind vitet e fundit, prej vitit 1913, Kosova ka qenë një koloni e Serbisë, dhe si e tillë i takonte të ishte objekti i parë dhe i vetëm evropian i procesit të dekolonializimit që u zhvillua pas Luftës II Botërore. Prej vitit 1919, Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë, e vetmja komponente e bashkuar me dhunë dhe e banuar nga një popullsi josllave, e para që u ngrit kundër regjimit komunist dhe që si e tillë duhej të ishte e para së cilës Komisioni i Badinterit në vitin 1991 duhej t‘i njihte të drejtën e shkëputjes prej makthit jugosllav. Por nuk ndodhi kështu. Pas ndërhyrjes kurajoze të NATO-s në vitin 1999, procesi politiko-diplomatik i rregullimit të statusit final të Kosovës u karakterizua nga inkonsekuenca, vonesa, lëshime dhe nga llogari, ku Kosova dhe kosovarët pak ose aspak merreshin në konsideratë. Për ndonjë vend të BE, për disa vende të Ballkanit dhe sigurisht për Rusinë, problemi i statusit të Kosovës iu nënshtrua optikave të ngushta egoiste të raporteve preferenciale, apo të interesit me Serbinë e Koshtunicës, pse jo edhe paragjykimeve historike të bazuara në miqësitë apo armiqësitë e ndërtuara mbi bazat e racës, të fesë e të kulturës.

Shaban Murati skanon qëndrimet e të gjithë faktorëve të angazhuar më së shumti në përcaktimin e statusit të Kosovës, duke ndjekur parimin biblik "secilit të vetën" (unicuique suum). Për të bërë këtë, ai nuk ka nguruar të heqë diçka edhe nga qenia e tij prej diplomati, duke zhveshur lakuriq qëndrimet partizane, oportuniste, apo edhe të papërgjegjshme të një farë Ivan Gasparoviç, president me ndjeshmëri të theksuara serbe i Sllovakisë, i cili i kundërvihet çdo zgjidhjeje që e shkëput Kosovën nga Serbia, duke injoruar deri edhe vendimet e përbashkëta të BE; të Presidentit të Rumanisë, Basesku, për të cilin Kosova duhet sakrifikuar për hir të Serbisë, me të cilën Rumaninë e bashkoka "halli i përbashkët" i pakicave hungareze, përkatësisht në Transilvani e në Vojvodinë. Dhe atëherë kur nuk e pret, Shaban Murati na informon se edhe një ministër i Jashtëm i Hungarisë, ndoshta i friguar nga kjo "aleancë" serbo-rumune dhe i ngutur të tregojë se Hungaria nuk ka asnjë pretendim për pakicat e saj në Rumani apo Serbi, del në shtegun anakronik të "zgjidhjes ballkanike" për statusin e Kosovës. Askush nuk do ta kishte pritur që teza "Ballkani i ballkanasve", e lançuar në fillimet e shekullit XX nga vendet e Antantës e nga klientët e tyre ballkanikë, do të shpluhurosej nga një trashëgimtar i perandorisë së dikurshme austro-hungareze. Por, bëhet fjalë për shqiptarët, dhe me shqiptarët mund të bëhet çfarëdolloj pazari. Si për të provuar humoret e sotme ballkanike ndaj shqiptarëve, Shaban Murati na kujton një fakt të freskët, atë të samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), të mbajtur në Zagreb vitin e shkuar, ku të gjitha vendet pjesëmarrëse, veç Shqipërisë, ranë dakord që të hiqej nga deklarata finale paragrafi mbi zbatimin e planit Ahtisari për Kosovën. Murati, që njihet si një europeist e euroatlantist i vendosur, megjithatë nuk kursen askënd kur bëhet fjalë për lëshime të paprincipta ndaj çështjes së Kosovës. As edhe një ministër të Jashtëm italian, si Xhankarlo Fini, apo një Kryeministër grek, si Kostas Karamanlis, kur këta deklarojnë, në shkurt 2005, se "Serbia duhet të përfshihet në procesin e përcaktimit të standardeve dhe të statusit të Kosovës". Një tjetër ide e papranueshme, edhe në kuptimin e Rezolutës 1244 do të thoshim ne, e cila e përjashton Serbinë nga çfarëdo roli në procesin e përgatitjes dhe përcaktimit të statusit të Kosovës.

Autori i librit "Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës", ka identifikuar te Rusia gjeneratorin që prodhon e ushqen opinionet kundër pavarësisë: shumë herë duke iu referuar "së drejtës ndërkombëtare". Por ndonjëherë edhe duke kërcëllitur dhëmbët, siç veproi Sekretari i Shtetit rus, Grigori Karashin, kur në gushtin e vitit 2006 bëri sikur u kujtoi perëndimorëve se pavarësia e Kosovës do të kthehej në një precedent dhe do provokonte shkrirjen e konflikteve "të ngrira", si ai në Abkazi, në Osetinë e Jugut apo në Transdniestrie... Një vëzhguesi të hollë, si Murati, nuk i shpëton një detaj domethënës: që diplomacia ruse nuk e përfshin Çeçeninë, që është pjesë e Federatës Ruse, në listën e "konflikteve të ngrira", por tinëzisht fokusohet në zona që ndodhen jashtë kufirit rus. Si për të thënë që një ditë, nëse Kosovës i jepet pavarësia, Rusia nuk do të njohë më ndarje kufijsh, por do të hidhet në sulm për të shpëtuar e për të shkëputur nga shtetet përkatëse "vëllezërit" e saj në Abkhazi, në Osetinë Jugore, në Transdniestër apo në republikat balltike.

Murati nuk i kursen qeveritë apo personalitetet, që në një farë mënyre ceduan///// përpara shantazhit serbo-rus, duke kapërdirë premtime e angazhime të marra solemnisht për çështjen e Kosovës. Në këtë kuadër nuk i shpëton kritikës as një personalitet i njohur e me kontribute për Kosovën në vitin 1999, Havier Solana, i cili për një çast duket se u bashkohet arsyeve ruso-serbe, duke shprehur frikën se mos "rasti i Kosovës mund të krijojë një precedent". Nuk i shpëton kritikave të autorit as "lajmëtari" i orës së fundit, ambasadori Ischinger, i cili arriti deri aty sa të rihedhë në qarkullim nën koperturë "ndërkombëtare" deri edhe teza të lëshuara më parë nga Beogradi, si ajo e "statusit të ngrirë". Një tezë e papranueshme, një tezë që shkel me të dyja këmbët Rezolutën 1244, do të thoshim ne, që tregon një moskonsideratë totale të objektit e të subjektit kryesor të çështjes, që është vetë populli i Kosovës dhe vullneti i tij. Situatë e mjerë e poshtëruese, thotë Shaban Murati, që bëhet akoma më frustruese kur "baroni" Ischinger kërkon t‘u mbyllë çdo shteg kontestimi shqiptarëve të Kosovës, teksa i kërcënon hapur që të rrinë urtë e të pranojnë zgjidhjet e tij, sepse pa ndihmat e Evropës ata do të ishin të mbaruar.

Ndryshe nga çka zgjedhur të bëjë shumëkush gjatë këtyre viteve dramatike për Kosovën, Shaban Murati nuk e injoron faktorin Serbi. Ai ka paralajmëruar rikthimin e Serbisë në diplomacinë për Kosovën, qëkurse u panë shenjat e para të një squlljeje ndaj saj. Qëkurse ende pa përmbushur detyrimin moral e ligjor të bashkëpunimit me Gjykatën e Hagës, Serbia u ftua të nënshkruajë marrëveshje të veçantë ushtarake me SHBA, u pranua deri në programin e NATO-s "Partneritet për Paqe" dhe duke mbyllur të dy sytë e të dy veshët, u ftua të rifillojë negociatat për Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me BE. Për hir të një raporti të sforcuar me Serbinë, komuniteti ndërkombëtar pranoi të shtyjë tej çdo caku përcaktimin e statusit të Kosovës, duke e kushtëzuar atë arbitrarisht me zhvillimet e brendshme të Serbisë, me zgjedhjet parlamentare e presidenciale të këtij vendi. Dhe të gjitha këto "të mira" iu akorduan Serbisë në një kohë kur Koshtunica e të tijtë nuk linin rast pa akuzuar SHBA, BE e NATO-n për "agresionin" e tyre kundër Serbisë, për kinse projektin e tyre antiserb për krijimin e një shteti-kukull të NATO-s në territorin e Serbisë, e kështu me radhë. Akoma më tej, zemërgjerësia ndaj Serbisë bëhet akoma më e pashpjegueshme, kur ajo nuk heziton të provokojë hapur Evropën e SHBA, duke inkurajuar rikthimin e kohëve të "luftës së ftohtë", duke bërë gjithçka për të joshur Rusinë të instalohet në rajon, qoftë duke vendosur aty ushtritë e veta, apo duke siguruar monopolin e industrisë së naftës e të gazit. Për një gjë të tillë Murati ka paralajmëruar qysh para dy vjetësh dhe pikërisht këto ditë u mor vesh se kanë filluar bisedimet për shitjen e sektorit serb të naftës e të gazit Rusisë.

Autorin Murati e irriton me të drejtë kjo politikë lëshimesh konkrete e të pamerituara ndaj një Serbie gjithnjë më agresive e jobashkëpunuese, që shkon në drejtim të kundërt me vendimet e marra bashkërisht dhe me deklaratat e forta në favor të pavarësisë së Kosovës, të bëra nga protagonistë të tillë si ndihmës sekretari amerikan, Nicholas Burns; ministri i jashtëm italian, D‘Alema, apo ai gjerman, Shtajnmajer, nga Kryeministri Bler apo nga vetë Presidenti Bush.

Për sa i përket Serbisë, Murati nuk e sheh të keqen te qëndrimet e ashpra e agresive të Beogradit: në fund të fundit ato janë kaq diskredituese, saqë edhe vetë miqtë e tij brenda BE nuk mund të mos ndihen keq prej tyre. Ajo që shqetëson e meriton vëmendje është faqja tjetër e qëndrimeve të Serbisë, ajo e shprehur nëpërmjet një aksioni diplomatik të koordinuar dhe jashtëzakonisht intensiv. Përgjatë këtij viti të fundit, përfaqësuesit më të lartë të Beogradit kanë shkelur në mënyrë të përsëritur kryeqytetet e Evropës e të gjithë botës, nga Brukseli, në Uashington, Moskë, Jerusalem e Pekin, ku janë munduar të ilustrojnë pozicionin serb me ngjyra sa më "liberale", duke ofruar variante pa fund për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pa çka se të gjitha ato kanë të njëjtën përmbajtje: të gjitha parashikojnë një Kosovë nën Serbinë. Por, gjithsesi, aktivizimi i jashtëzakonshëm i diplomacisë së Beogradit nuk ka lënë pa infektuar kancelari e përfaqësues kancelarish të vendeve të rëndësishme evropiane. Aq më shumë që aksioni i Beogradit nuk është balancuar nga një aksion i ngjashëm i Prishtinës e Tiranës: "Serbia ka iniciativën diplomatike", paralajmëron Shaban Murati, kur konstaton apatinë shqiptare në krahun tjetër. Dhe kjo apati, arsyeton Murati, rrezikon të lerë pasoja: "Veprimi diplomatik i Serbisë dhe mosveprimi diplomatik i Prishtinës dhe i Tiranës mund të sjellë një pavarësi të gjymtuar", arsyeton me të drejtë ai. "Statuset" e propozuara nga ambasadori Ischinger janë një konfirmim i drejtësisë së këtij arsyetimi.

Si diplomat e ambasador me përvojë, Shaban Murati nuk mund të mos shprehë mosmiratimin e tij edhe për artikulime e qëndrime të diskutueshme të diplomacisë së Tiranës në këtë fazë vendimtare të vendimmarrjes për Kosovën. Ai e deklaron hapur si të gabuar deklaratën e ndonjë zyrtari të Tiranës, i cili ende pa filluar negociatat e Vjenës, në shkurt 2005, hallavitej duke deklaruar të njëjtën gjë që deklaronte Beogradi, Moska e ndonjë kryeqytet tjetër, se "statusi i Kosovës duhej të vendosej nga Këshilli i Sigurimit". Dhe kjo në një kohë kur SHBA dhe BE, të ndërgjegjshëm për problemet që do të mund të shkaktonte Rusia në Këshillin e Sigurimit, siç ndodhi me të vërtetë, kishin bërë kujdesin e duhur për të mos folur për ndonjë rol të tij në përcaktimin e statusit. Në fund të fundit, do të shtonim ne, vetë Rezoluta 1244 e vendos përcaktimin e statusit të Kosovës jashtë Këshillit të Sigurimit, duke ia dhënë këtë kompetencë një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen e vendeve dhe organizatave të angazhuara në menaxhimin e krizës kosovare, të cilat do të vendosnin mbi bazën e vullnetit të popullit të Kosovës. Një akt miopie politike dhe papërgjegjshmërie profesionale të diplomacisë shqiptare e konsideron Shaban Murati vizitën në Tiranë, në pranverë 2005, të kryetarit të Dumës Ruse, Kazaçev. Jo rastësisht, vëren Murati, pala ruse kishte zgjedhur ta bënte këtë vizitë pikërisht në datën 24 mars, ditën e fillimit të bombardimeve të NATO kundër Jugosllavisë. Jo rastësisht, ditën e vizitës së delegacionit rus, në 24 mars 2005, Ministria e Jashtme e Rusisë lëshonte një deklaratë, ku përsëriste dënimin e përvitshëm të saj ndaj "agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë në vitin 1999". Por, na kujton Murati, diplomatëve të Tiranës jo vetëm u shpëtoi një ndërthurje e tillë rrethanash, por ata gjetën pikërisht këtë moment për t‘i kërkuar Kazaçevit, që pala ruse të përshpejtonte procedurat për nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë ruso-shqiptare.

Libri i analistit dhe i diplomatit Shaban Murati na kujton edhe të tjera "lajthitje" të diplomacisë së Tiranës, kësaj radhe edhe në raport me diplomacinë e Beogradit. Rast domethënës për gjendjen e përgjumjes së Tiranës diplomatike është ai kur për një çast u duk se "u gëlltit" teza e njohur serbe e "zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë e Shqipërisë, pavarësisht nga problemi i Kosovës". Një tezë që as regjimi komunist nuk e gëlltiti në vitet 1980.

Ky libër i ri i Shaban Muratit është një nxjerrje dufi, një "dixi et salvavi animam meam". Ai përmbledh artikuj të viteve 2005-2007, të botuara në shtypin e kohës, me anë të të cilave, nga Stokholmi i largët, ku shërbente si ambasador i Shqipërisë, autori ka dashur të japë alarmin për të papriturat e kurthet që po i përgatiteshin çështjes së Kosovës. Ambasadori Murati ka paralajmëruar në vazhdimësi për disa zhvillime e qëndrime në debatet diplomatike ndërkombëtare për Kosovën, të cilat në rast se do të ishin marrë parasysh, do të kishin ndihmuar punën e MPJ në ballafaqimet dhe në përçapjet diplomatike për Kosovën. Ai ka analizuar disa muaj para se të shpallet planin për shtyrjen e paraqitjes së paketës Ahtisari pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ka njoftuar afro dy vjet më parë planin e qeverisë së Serbisë për t‘i dhënë Rusisë industrinë e naftës në këmbim të vetos ruse kundër Kosovës etj.

Paradoksalisht, tani, në momentin e botimit integral të këtyre artikujve, autorit Shaban Murati i takon të jetë më shumë i dëshpëruar se sa i lumtur. Së pari, sepse siç po duket, artikujt e tij nuk janë lexuar, nuk janë kuptuar, nuk janë vlerësuar nga eprorët e tij në MPJ. Në fakt, diplomacia e Tiranës në mjaft raste ka ecur në një rrugë të ndryshme nga ajo që ambasador Murati ka menduar të sugjerojë. Së dyti, nuk dimë se sa lidhet me analizat e tij therëse për Kosovën, por fakti është që prej gati një viti, kur u kthye nga misioni i tij në Stokholm, ambasadori Shaban Murati është një i papunë. Pikërisht sot, në momentin më intensiv e delikat për Kosovën, kur udhëheqja e MPJ duket se ia ka "deleguar" çështjen e Kosovës të huajve, kjo ka gjykuar si të panevojshme shërbimet e një prej ambasadorëve më të aftë, ekspert sipëror për politikën e jashtme dhe për çështjet ballkanike, në veçanti, i vlerësuar si i tillë nga diplomatë e analistë të huaj. Prej një viti, Murati dhe një grup i tërë ambasadorësh të njohur e të merituar janë përjashtuar nga shërbimi diplomatik. Ministri i Jashtëm refuzon deri edhe gjestin më trivial për një drejtues dikasteri, refuzon t‘i presë e të dëgjojë arsyet e tyre. Ndërkohë, zyrat e MPJ dhe të përfaqësive tona jashtë mbushen me personazhe groteske, apendiks i shëmtuar i një administrate të kapur e të politizuar. Duke pasur parasysh këtë, ndërsa e uroj me gjithë zemër për librin, më vjen t‘i jap zemër mikut tim Shaban Murati e t‘i them se në këto kohëra ia vlen më mirë të merresh me libra, se sa me diplomaci...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›