"Zboristët", miqësore me Arabinë Saudite
Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Arabinë Saudite. Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të FSHF-së, të cilat kanë saktësuar se takimi është planifikuar të luhet vetëm pesë ditë përpara miqësores zyrtare me Moldavinë. Duke qenë se data nuk është zyrtare, trajneri Ari Han do të ketë mundësi të vazhdojë vëzhgimin e futbollistëve të kampionatit tonë, të cilët i kishte grumbulluar për 10 ditë në Antalia të Turqisë. "Përpara takimit me Moldavinë, trajneri i përfaqësueses Ari Han, do të ketë në dispozicion një tjetër ndeshje miqësore", konfirmoi zyra e shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit. "Ndeshja është programuar për t‘u luajtur më datë 21 mars të këtij viti. "I vetmi problem që del në këtë rast, ka lidhje me faktin se kjo datë nuk është e njohur nga FIFA për ndeshjet ndërkombëtare. Për këtë arsye, trajneri Ari Han, nuk do të ketë në dispozicion lojtarët kryesorë të ekipit përfaqësues, që luajnë në klube të huaja. Mendohet se kontingjenti i skuadrës do të përbëhet nga futbollistë që luajnë në kampionatin shqiptar". Në këtë mënyrë, drejtuesi i stolit kuqezi do të ketë mundësinë të vazhdojë testimin e futbollistëve që janë kandidatë për një vend në skuadër. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe mundësia që ndonjë prej "legjionarëve" të mund t‘i bashkohet skuadrës, për t‘u vendosur nën urdhrat e teknikut holandez. "Ftesat do të dërgohen edhe për futbollistët që aktivizohen jashtë vendit. Nëse ndonjë prej tyre do të jetë i gatshëm që të bashkohet me ekipin, natyrisht duke pasur edhe mirëkuptimin e klubit ku luan, do të grumbullohet për të luajtur kundër kombëtares së Arabisë Saudite".
Takimi do të luhet në fushë kundërshtare dhe marrëveshja është arritur pas konfirmimit të Federatës Arabe. Zyrtarët e FSHF-së i kanë cilësuar kushtet e ofruara për këtë ndeshje si mjaft të favorshme. "Në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një konfirmim nga ana e Federatës së Arabisë Saudite, e cila është gatshme të presë kombëtaren shqiptare për një ndeshje miqësore, saktësonte zyra e shtypit në institucionin që drejton futbollin në vendin tonë. Kushtet financiare që janë ofruar nga homologët tanë janë mjaft të favorshme, për faktin se kombëtarja e Shqipërisë nuk do të paguajë asgjë për këtë takim. Shpenzimet do të mbulohen nga vendi pritës". Kjo do të jetë hera e parë në histori që Shqipëria do të luajë kundër përfaqësueses së Arabisë Saudite.
Ndërkohë, gjatë gjithë muajit shkurt, trajneri Han do të vëzhgojë paraqitjet e futbollistëve që militojnë në kampionate të ndryshme evropiane. Ai dhe ndihmësit e tij do të ulen në tribunat e stadiumeve për të ndjekur nga afër formën e kuqezinjve, por edhe për të mësuar karakteristikat e lojës së tyre. Holandezi pritet të udhëtojë edhe drejt Shqipërisë, për të parë nga afër disa ndeshje të Kategorisë Superiore.
Moldavia
Miqësorja me Moldavinë do të luhet në datën zyrtare të FIFA-s, më 26 mars, përsëri në fushë kundërshtare. Në këtë sfidë, për herë të parë, tekniku Han do të ketë në dispozicion lojtarët kryesorë të skuadrës