Gjeneralët kërcënojnë klubin: Rrogat, ose do të largohemi
Futbollistët kryesorë të Partizanit kanë kërcënuar se do të largohen nga skuadra, nëse drejtuesit e klubit nuk u shlyejnë detyrimet financiare të tre muajve të fundit. Prej shumë sezonesh, në një situatë që nuk i shkon për shtat emrit të klubit (mungesa e trofeve sa vjen edhe bëhet më e ndjeshme), të kuqtë nuk po gjejnë qetësi. E kur më në fund duket se gjërat po ecin në rrugën e duhur, me skuadrën që lufton për titullin kampion, në horizont shfaqen të tjera probleme. "Gjeneralëve" u ka sosur durimi. Asnjë prej atyre që përbëjnë boshtin kryesor të skuadrës së Likës nuk ka ndërmend të presë më. Kushti që kanë vendosur është i prerë: paratë, ose letrat dhe ne largohemi. Listën e "rebelëve" e kryesojnë afrimet e reja në këtë sezon: Shkëmbi, Osmani e Devolli, por edhe "veteranët" si Dhëmbi e ndonjë tjetër, që nuk kanë ndërmend të presin me sytë nga qielli. Sipas burimeve pranë ekipit, futbollistët i kanë vendosur edhe afat presidentit Albert Xhani, në të kundërt do të veprojnë. Nëse deri në 10 janar situata nuk ndryshon, "lufta" mes palëve është e paevitueshme. "Lojtarët kryesorë nuk mund ta durojnë më këtë gjendje. Nuk paguhen prej tre muajsh dhe nga drejtuesit e Partizanit s‘ka shenja jete", pohuan burimet konfidenciale. "Ata i kanë bërë të qarta kërkesat e tyre. Tashmë klubi duhet të vendosë nëse do t‘i paguajë apo do t‘u japë letrat. Nëse deri në datën 10 janar futbollistëve nuk do t‘u shlyhen detyrimet financiare, do hyjë në fuqi prishja e njëanshme e kontratës, pasi nuk janë respektuar kushtet e pranuara nga të dyja palët". Situata në skuadër nuk është e re. Kjo histori përsëritet prej afro 90 ditësh, të paktën në momentin kur vinte data e rrogave. Gjithsesi, janë futbollistët që kanë fjalën e parë: tashmë që merkato e janarit është hapur, ata mund të largohen pa frikë dhe të gjejnë një tjetër "strehë" ku të luajnë në pjesën e mbetur të edicionit. Drejtuesit e Partizanit duket se janë me shpatulla pas murit...