Han do ekip të madh, FSHF fton te vegjlit
Edhe pse janë vetëm në hapat e parë të bashkëjetesës, "kontradiktat" e para ndërmjet trajnerit Ari Han dhe FSHF-së kanë dalë në pah. Gjithçka në lidhje me datën 6 shkurt, e cila është lënë e lirë nga FIFA për të zhvilluar ndeshje miqësore. Holandezi preferon që të ketë përballë si kundërshtar ekipe të mëdha, ndërsa federata u ka dërguar ftesa vetëm përfaqësueseve të vogla në kontinent. "E rëndësishme është të bëjmë sa më shumë ndeshje dhe me kundërshtarë të fortë", deklaroi Han. "Ne duhet të kërkojmë të luajmë me skuadra të forta, pasi mësohet më shumë prej tyre. Në disa raste nuk të bën keq të regjistrosh një humbje 6-1 si ajo me Rumaninë, pasi kështu e kupton ku ndodhesh vërtet. Por është e rëndësishme të luajmë ndaj të fortave dhe të mësojmë, edhe pse kjo do të thotë që të humbasim në këto takime". Nga ana tjetër, burime pranë FSHF-së kanë pohuar se ftesa për miqësore u janë dërguar vetëm ekipeve të vogla evropiane, të cilat janë të lira më 6 shkurt. "Për datën e lirë të muajit shkurt, ftesa për miqësore u janë dërguar vetëm federatave të vogla evropiane, të cilat ende nuk kanë gjetur një kundërshtar", pohuan burimet. Kjo sepse pothuajse të gjitha përfaqësueset e mëdha nuk janë të lira". Në fund dy fjalë për kombëtaret e Amerikës Latine, që në disa raste kanë përbërë një alternativë: "Pista për të gjetur miqësore me ekipe të Amerikës Latine është anashkaluar, pasi ata nuk janë seriozë".