E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: Të kthejmë traditën me paraqitje të mira

Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të kombëtares shqiptare, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka kërkuar mbështetjen maksimale për skuadrën, në mënyrë që ajo t‘i kthehet traditës së paraqitjeve të mira. "Në këtë fillim të vitit 2008 dëshirojmë të urojmë një sezon të mbarë për të gjitha ekipet kombëtare, sidomos për kombëtaren A", tha ai. "Kërkoj mbështetje sa më të madhe, ndoshta për të përmirësuar atë që nuk kemi arritur në ndeshjet e fundit, dhe për t‘u kthyer në traditën tonë me lojëra të mira dhe me një klasifikim sa më të mirë". Menjëherë më pas, Duka ka folur rreth kontratës me Ari Han, duke anashkaluar shifrat konkrete, të paktën kur bëhet fjalë për premiot që i janë vënë në dispozicion trajnerit për çdo arritje të ekipit përfaqësues. "Kontrata është për dy vjet. Aty janë përcaktuar edhe shpërblimet sipas renditjes së skuadrës apo pikëve të marra. Kuptohet që për çdo objektiv, qoftë kualifikim, vend të dytë apo të tretë, do të ketë shpërblime në masë të ndryshme". Drejtuesi më i lartë i futbollit në vend ka folur edhe rreth objektivave që do të ketë skuadra në eliminatoret e Kupës së Botës 2010. Sipas tij, Shqipëria meriton vendin e katërt, duke qenë se Portugalia, Suedia e Danimarka qëndrojnë shumë lart. Gjithsesi, shpresat janë që edhe kundër këtyre kundërshtarëve të arrihet diçka pozitive. "Vendi që i takon Shqipërisë në këtë grup, pra ajo që meritojmë, duhet të jetë vendi i katërt, pavarësisht se nga futbolli mund të marrësh më shumë se sa meriton apo ndoshta më pak, pohoi ai. Por, konkurrenti ynë në grup mendoj se do të jetë Hungaria, duke parë gjendjen reale të skuadrave e duke e cilësuar Maltën një nivel poshtë nesh. Kuptohet që tri skuadrat e tjera janë kombëtare shumë të mira, por siç tha edhe trajneri, në një ditë të mirë mund të fitosh kundër çdolloj kundërshtari, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën". Në fund rrëfimi për një pjesë të bisedës konfidenciale me Han dhe dy fjalë për Bariç: "Oto Bariç ka qenë një trajner shumë i mirë, kishte eksperiencë të madhe dhe ka punuar shumë mirë në Shqipëri. Në takimin e parë që kam pasur me trajnerin e ri (Ari Han), i kam thënë që detyra e tij në Shqipëri do të jetë shumë e vështirë, pasi vjen pas dy trajnerëve shumë të mirë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›