Sigurimet, tregu rritet me 40%
Kohë të arta për shoqëritë e sigurimeve. Tendenca e rritjes me ritme të larta e parave që shqiptarët shpenzojnë për sigurime ka vazhduar edhe gjatë 11 muajve të parë të vitit 2007. Sipas të dhënave zyrtare, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, tregu i sigurimeve për periudhën Janar-Nëntor 2007, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2006, ka një rritje në masën 37.06%. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 1.47 miliardë lekë dhe në total ka kapur shifrën e 5,43 miliardë lekëve. AMF thotë se kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në portofolin MTPL në masën 49.75%, të cilat janë sigurime të detyrueshme. Rritje ka pasur edhe numri i kontratave mes shoqërive të sigurimit dhe personave që kanë siguruar pronën e tyre me gati 45 mijë të tilla. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jo Jetës kap shifrën e mbi 5 miliardë lekëve dhe shënon një rritje në masën 36.42%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006. Numri i kontratave në sigurimin e Jo Jetës kapi shifrën 459,395 duke shënuar një rritje në masën 6.56% me të njëjtën periudhë të vitit 2006.
Rriten sigurimet e jetës
Por shqiptarët po tregohen gjithmonë e më të ndjeshëm edhe ndaj sigurimit të jetës, një shërbim ky i hyrë rishtas në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare, volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e Jetës kap shifrën 382,3 milionë lekë dhe shënon një rritje në masën 46.05% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2006. Por ajo që bie në sy është rritja e numrit të kontratave për këtë shërbim sigurimi. Sipas AMF, numri i kontratave në sigurimin e Jetës kapi shifrën 37 mijë e 502 të tilla, duke shënuar një rritje me gati 80 për qind krahasuar me një vit më parë.
Dëmet
E gjithë kjo rritje e tregut duket se ka shkuar në favor të shoqërive të sigurimeve. Të paktën kjo del po të krahasohen edhe të dhënat e dëmeve që janë paguar nga shoqëritë e sigurimeve. Për 11-mujorin gjithsej janë paguar vetëm 1.2 miliardë lekë dëme. E thënë ndryshe kjo do të thotë se shoqëritë e sigurimeve kanë paguar në formën e dëmeve vetëm 22 për qind të të ardhurave që ato kanë realizuar nga shitja e policave të sigurimeve te konsumatorët. Ky raport konsiderohet nga ekspertët si mjaft i favorshëm për vetë shoqëritë e sigurimeve, të cilat janë duke rritur fitimet e tyre nga viti në vit. Krahasuar me një vit më parë, ndërsa të ardhurat e tregut të sigurimeve janë rritur me mbi 37 për qind, dëmet e paguara janë rritur vetëm me 8.08%. Numri i dëmeve të paguara është rritur me 300, dhe kap shifrën 8,104 nga të cilat 8,065 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të Jo Jetës dhe vetëm 39 nga shoqëritë e Jetës.