Mbërrijnë zonat e para ekonomike
Qeveria ka shpallur me vendime të posaçme dy zonat e para ekonomike në vendin tonë. Me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave ka shpallur zonë ekonomike parcelën me sipërfaqe 61 hektarë në Koplik të Shkodrës dhe një parcelë me sipërfaqe 3.2 hektarë në Shëngjin të Lezhës. Por këto zona nuk do të jenë zona të mirëfillta ekonomike, pasi do të kenë vetëm statusin e parkut industrial. Kjo do të thotë se qeveria nuk do të lejojë asnjë lehtësi tatimore për subjektet që do të kryejnë aktivitetin e tyre në këto zona. "Nuk bëhet fjalë për lehtësira fiskale. Ato do të jenë parqe industriale që do të ofrojnë për bizneset lehtësira infrastrukturore, qoftë në transport, qoftë për sa i takon furnizimit me energji", tha për gazetën "Shqip" këshilltari i Kryeministrit për çështjet ekonomike, Selami Xhepa. Në zonën e parë, atë të Koplikut, sipas vendimit të qeverisë do të zhvillohen veprimtari prodhuese, industriale dhe agro-përpunimi, tregtare dhe eksport-importi. Bizneset do të kenë lehtësira për sa u takon veprimeve administrative. Përpos kësaj, qeveria premton edhe furnizim 24 orë me energji elektrike për këto zona. Burime nga Ministria e Ekonomisë bëjnë të ditur se periudha e funksionimit të të dyja zonave do të jetë 35 vjet, ndonëse nuk dihet ende se kur do të fillojnë së funksionuari ato.
Koncesioni
Një zonë ekonomike normalisht zhvillohet nga një subjekt i caktuar privat që quhet zhvilluesi. Qeveria ka parashikuar që të dyja këto zona t‘i japë me koncesion. Shoqëritë që do të shpallen fituese do të kenë të drejtën të zhvillojnë zonën dhe do të përfitojnë më vonë nga ambientet që do u lëshojnë bizneseve. Për herë të parë pas pesëmbëdhjetë vjetësh në Shqipëri do të ketë zona të lira ekonomike. Qeveria kishte deklaruar më parë se këto zona do të ishin përqendruar kryesisht në aksin Tiranë-Durrës-Fier, por dy zonat e para vijnë në krahina të tjera.
Ruli
Rreth 6 muaj më parë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, deklaroi se Shqipëria do të kishte një bum të zonave ekonomike. Kjo deklaratë e Rulit erdhi menjëherë pasi dikasteri që ai drejtonte kishte përfunduar hartimin e ligjit për zonat ekonomike. Por pavarësisht kësaj duket se qeveria nuk ka asnjë plan për miratimin së shpejti të ndonjë zonë të mirëfilltë ekonomike, ku bizneset do të paguanin më pak taksa sesa parashikon sistemi ynë fiskal dhe kryesisht, ato që kanë të bëjnë me tatimin mbi të ardhurat, por edhe me tatimin mbi vlerën e shtuar. Ministri shpjegoi edhe arsyet se përse u ndërmor një veprim i tillë ligjor. Në Shqipëri, prej vitesh ka pasur ligj për zonat e lira, por në të vërtetë kanë munguar vetë zonat e lira. Për ngritjen e zonave industriale më të mundshme, qeveria ka bërë disa verifikime për mundësinë e ngritjes së zonave të lira, sikurse është zona e ish-Kënetës në Durrës, që është kryesisht pronë publike dhe afër portit, aeroportit, Tiranës etj., që janë dhe tërheqëse për privatët. Zhvillimi i zonave ekonomike të lira do t‘i jepet grupit të investitorëve privatë, por shteti do të garantojë infrastrukturën bazë si: ujin, energjinë, telekomunikacionin etj. Në ligj janë parashikuar disa modele për lehtësirat që mund të zbatohen sipas karakterit të zonave, qëllimeve që ato do të kenë për biznese që afrojnë shërbime dhe pajisje teknologjike, apo që afrojnë punësim në rritje, në sistemin taksor etj.