Kontrata me FSHF, Ari Han 13 mije euro ne muaj
Ari Han është prezantuar dje zyrtarisht si trajneri i ri i përfaqësueses shqiptare, pasi ka nënshkruar kontratën dyvjeçare me FSHF-në. Tekniku holandez është prezantuar para mediave, ku ka bërë të qartë se objektivi është për të mos lënë pikë me skuadrat e vogla në grup, Maltës e Hungarisë. Han është shfaqur i bindur mbi arritjen e këtij objektivi, që do të thotë vendi i katërt në grup dhe rritja e ndjeshme në renditjen e FIFA-s. Ai është shprehur se një situatë të tillë e ka përjetuar edhe gjatë kohës kur drejtonte përfaqësuesen kineze, të cilën ka arritur ta çojë mes 40 skuadrave më të mira në botë.
"Arsyeja pse më interesonte mua kombëtarja shqiptare vinte nga njohuritë që kam për futbollin shqiptar dhe atë evropian. E kujtoj shumë mirë periudhën kur Holanda ishte një komb i vogël në futboll, por në fillimin e viteve ‘70 u bë një skuadër e madhe. Unë shpresoj që ajo që ndodhi me Holandën në atë periudhë të ndodhë edhe këtu. Duke parë ndeshjet e përfaqësueses e kuptova që këtu ka cilësi dhe lojtarë të mirë. Unë kam përshtypjen që mund të arrijmë më shumë se çfarë është bërë deri tani. Në renditjen botërore, Shqipëria është pranë vendit të 80-të, por do të përpiqem të përsëris atë që bëra me Kinën, kur brenda dy viteve e ngjita nga ky pozicion në vendin e 40-të. Unë besoj që me eksperiencën time botërore të arrijë më shumë me këto lojtarë. Jam i gëzuar që jam këtu dhe besoj te një e ardhme më e mirë për futbollin shqiptar. E di që bëhet fjalë për Botërorin e vitit 2010, por nëse prisni që unë ta shpall Shqipërinë Kampione të Botës, unë më mirë po largohem që tani. Ne duhet të tregojmë që Shqipëria është bërë një skuadër shumë e mirë dhe pse grupi ynë nuk është shumë i lehtë", u shpreh Han në prezantimin e tij. Trajneri e bëri të qartë se kombëtarja kishte përballë kundërshtarë shumë të fortë, por ai ishte optimist se mund të arriheshin rezultate pozitive edhe ndaj tyre. "Portugalia dhe Suedia janë kundërshtarë shumë të fortë, bashkë me Danimarkën, që drejtohet nga një ish-lojtar i imi, Morten Olsen. Nuk fitohen ndeshjet nëse nuk luhet 90 minuta, por synimi është që të mos lëmë pikë me skuadrat e vogla të grupit, Maltën e Hungarinë, mes të cilave është Shqipëria. Ne duhet të largohemi menjëherë nga vendi i 80-të. Gjithmonë ekziston shpresa që të fitosh çdo ndeshje. Por e dimë që po të luajmë 10 herë kundër Portugalisë, mund të luajmë dy ndeshje shumë të mira, por të fitojmë vetëm një herë ndaj tyre. Nëse ne do ta vëmë në jetë këtë ndeshje shumë të mirë, atëherë nuk kemi pse të mos shpresojmë. Nuk do të jetë e thjeshtë, por besimi në sukses është më se normal", u shpreh holandezi para mediave. Ai nuk ka kursyer as batutat për lojtarët, duke bërë të qartë se të gjithë janë në provë dhe duhet të vërtetojnë që e meritojnë fanellën kuqezi. "Unë nuk nisem nga mendimet e të tjerëve dhe për mua është e rëndësishme që lojtarët të mësojnë gjithmonë. Për sa kohë që do të ndodhë një gjë e tillë, ne do të ecim përpara. A i njoh lojtarët? E rëndësishme është që ata të dinë se kush jam unë dhe të tregojnë se e meritojnë kombëtaren. I njoh lojtarët që luajnë në Evropë, sidomos ata në Gjermani, ku është edhe kapiteni i Shqipërisë. Por mua më duhet shumë pak kohë për të njohur çdo lojtar dhe për të kuptuar forcën e secilit prej tyre, si teknikisht, ashtu edhe taktikisht. A më shqetëson krahasimi me Bariç? Duhet ta dini që trajneri Bariç ishte paraardhësi im te Shtutgarti, por ajo skuadër doli me mua në finalen e Kupës UEFA dhe jo me trajnerin Bariç", ishin batutat e Han në konferencën e prezantimit të tij.