E Diel, 1 Nëntor 2026

Paradoksi, euro forcohet ndaj lekut

Nëse ndonjë qytetar pret me shpresë që të blejë euro me çmim të lirë këto ditë të para të vitit, tregu nuk do ta favorizojë, duke zhgënjyer pritjet e tij. Ngjarjet në tregun vendas të këmbimit në fakt kanë zhgënjyer jo vetëm qytetarët, por edhe tregtarët. Nëse si çdo fillim viti pritej që me ardhjen e emigrantëve monedha euro të zhvlerësohej, për shkak të pranisë së saj më të madhe në treg, sot kjo monedhë duket në këmbim me lekun më e vlerësuar. Në fillim të dhjetorit, një euro këmbehej me 120.4 lekë, ndërsa aktualisht ajo këmbehet me 121.7 lekë. Duket se këtë radhë emigrantët kanë sjellë më pak para për festat e fundvitit. Por tregtarët mendojnë se vlerësimi i euros nuk ka ardhur vetëm për këtë shkak. Sipas tyre mund të jetë edhe inflacioni i rritur ditët e fundit të vitit 2007 që ka kompensuar efektin e prurjeve të monedhës euro. Megjithatë ka edhe një faktor tjetër që duket se ka diktuar sjelljen e euros ndaj monedhës vendase. Është kërkesa e madhe e ekonomisë për valutë, veçanërisht Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e cila po blen aktualisht sasi të mëdha të importit të energjisë elektrike. Të gjitha këto arsye që sollën forcimin e euros janë shkaktuar nga faktorë të tregut të brendshëm.

Faktorët e jashtëm

Por jo pa ndikim janë edhe ngjarjet në tregun ndërkombëtar. Ndërsa kambistët e lidhin forcimin e euros në raport me lekun me fenomene të ndodhura në vend, ekspertët mendojnë të kundërtën. Sipas këtyre të fundit, faktori bazë, që solli një forcim të euros jashtë çdo parashikimi historik për këtë periudhë të parë të vitit, është zhvlerësimi i dollarit ndaj monedhës evropiane. Dhe ka gjasa që ky raport midis këtyre dy monedhave të forta të vazhdojë edhe për disa kohë. Gjithësi, një forcim i euros, edhe pse i papritur, është i mirëpritur nga familjet që kanë bazën e të ardhurave të tyre nga anëtarë të tjerë të familjes në emigracion. Për ta ky është një moment i mirë për të këmbyer euron me lekë, dhe për të kryer shpenzime me më pak kosto. Sikundër ky moment lë të pakënaqur të tjerë shqiptarë, që kanë detyrime për të paguar në euro, por të ardhurat në lekë, siç mund të jenë rastet e kredive për shtëpi. Këtyre qytetarëve, me kursin e këmbimit të këtyre ditëve do t‘u duhen më shumë lekë për të blerë të njëjtën sasi të eurove.

Parashikimi

Në fakt, parashikimet janë që monedha evropiane të vazhdojë të forcohet kundrejt dollarit dhe për rrjedhojë edhe në raport me lekun. Aktualisht, një euro këmbehet me 1.47 dollarë, por analistët ndërkombëtar mendojnë se shumë shpejt një euro do të këmbehet me plot 1.5 dollarë, që do të ishte një rekord historik i pashënuar kurrë më parë. Dje euro arriti rekordin e saj më të lartë britanik, gjë që tregon se monedha evropiane vazhdon të forcohet kundrejt të gjitha monedhave të tjera. Eurozona duket se shumë shpejt do të kapërcejë edhe problemet e vëna re së fundmi me inflacionin në disa shtete të caktuara si Spanja apo Italia. Këto zhvillime pritet të pasqyrohen edhe në tregun vendas, ku euro mendohet se do të forcohet edhe më ndaj lekut. Tregtarët shprehen të bindur për këtë. Ata thonë se nëse euro u forcua edhe kur në Shqipëri fluksi i ardhjes së emigrantëve ishte i lartë, kjo tendencë do të forcohet më tej gjatë muajve të ardhshëm, ku prania e kësaj monedhe në treg do të jetë më e ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›