Haxhiosmanoviç mendon për Kupat e Evropës
Devish Haxhiosmanoviç është prezantuar dje si trajneri i ri i Vllaznisë, dy ditë pas shkarkimit të Mirel Josës nga ky post. Malazezi është shfaqur para mediave përkrah presidentit Valter Fushaj, i cili e ka falënderuar për gatishmërinë e tij për të rimarrë drejtimin e Vllaznisë. "Kemi arritur në një fazë, e cila është shumë e vështirë dhe për këtë duhet falënderuar Haxhiosmanoviç që pranoi ofertën dhe u tregua i gatshëm të marrë në dorë drejtimin e skuadrës. Tani kërkoj nga lojtarët impenjim dhe gatishmëri maksimale. Ne si skuadër duhet të shohim të tashmen e mos të merremi më me të kaluarën", tha presidenti i Vllaznisë. Nga ana e tij, Haxhismanoviç bëri të qartë se objektivi kryesor ishte sigurimi i Kupave të Evropës në edicionin e ardhshëm. "Unë do të bëj të pamundurën që të jap maksimumin për Vllazninë dhe për tifozerinë shkodrane, pasi kjo është një skuadër e madhe, me tifozeri të madhe dhe së bashku do të korrigjojmë ato që mund të korrigjohen, duke synuar ndeshjet evropiane", u shpreh ai.