E Diel, 1 Nëntor 2026

Memushi jep dorëheqjen, vlonjatët ftojnë Kovaçiç

Slavko Kovaçiç do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit. Lajmi surprizë është bërë i ditur dje nga drejtuesit vlonjatë, menjëherë pas dorëheqjes së trajnerit aktual, Eqerem Memushi, të zyrtarizuar në një konferencë për shtyp. "Unë po largohem krenar nga ky post, për vetë faktin se në skuadrën e Flamurtarit janë evidentuar djem të aftë, që dinë të luajnë futboll. Dorëheqja ime vjen pas mospërmbushjes së objektivit të vendosur nga skuadra për fitoren e Kupës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë unë vendosa të jap dorëheqjen", deklaroi Memushi para mediave. Menjëherë presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, bëri të ditur se Memushi do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit teknik të klubit vlonjat. Në të njëjtën kohë ai zyrtarizoi emrin e Slavko Kovaçiç si tekniku i ri i skuadrës, pasi kishte arritur më parë akordin me ish-asistentin e Bariç në pankinën e kombëtares shqiptare. Kroati do të fillojë punën gjatë kësaj jave, duke përgatitur ekipin për ndeshjet e radhës në kampionat dhe për sezonin e ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›