E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja e Superiores, pa lojtarë të Dinamos kryesuese

Meqë ndeshja miqësore e 21 marsit ndaj Arabisë Saudite nuk është në një datë të lirë nga UEFA, trajneri Ari Han ka vendosur të grumbullojë futbollistë nga kampionati shqiptar, me përjashtim të portierit Koliqi, që aktivizohet tek Iraklis. Por në këtë listë prej 18 emrash, bie në sy mungesa e futbollistëve që aktivizohen me Dinamon, ekipi që aktualisht kryeson Superioren dhe është pretendentja kryesore për të fituar çdo trofe në këtë edicion, ndonëse në këtë skuadër ka futbollistë si Allmuça, Pisha dhe Kotorri, të cilët mund të cilësohen si alternativa të vlefshme për reparte të ndryshme të kombëtares. Skuadra me më shumë "përfaqësues" në miqësoren ndaj Arabisë Saudite është Vllaznia me 4 lojtarë, e ndjekur nga Partizani dhe Tirana me nga 4 futbollistë në listën prej 18 emrash. Për më tepër, gjysma e futbollistëve të grumbulluar për këtë sfidë janë kontingjent i përfaqësueses Shpresa, ku bie në sy thirrja për herë të parë e mesfushorit të Flamurtarit, Hair Zeqiri dhe mbrojtësit të Apolonisë, Maringlen Shoshi. Të dy janë cilësuar si futbollistë me të ardhme dhe mund të jenë pjesë e përfaqësueses edhe në takimet e tjera miqësore. Trajneri Han do të jetë me datë 17 mars në Shqipëri, pasi për tri ditë radhazi do të zhvillojë grumbullimin në vendin tonë. Ekipi do të udhëtojë vetëm me datë 20 mars drejt Damam, qyteti ku një ditë më vonë do të zhvillohet edhe ndeshja e parë e trajnerit Han në drejtimin e përfaqësueses kuqezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›