E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim në OKB. Korrupsion, mashtrim dhe abuzim në Pallatin e Xhamtë

Një grup hetimor i brendshëm i OKB-së ka zbuluar një numër të paparashikuar rastesh mashtrimi dhe abuzimi në OKB dhe deri tani po heton 250 raste, përfshi dyshime për abuzime seksuale nga paqeruajtësit dhe parregullsi financiare. "Dosjet tona janë mbushur tre muajt e fundit, me rreth 250 raste", u tha gazetarëve Inga-Britt Ahlenius, shefe e Zyrës së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (OIOS) të OKB. "Kemi zbuluar raste keqmenaxhimi, mashtrimi dhe korrupsioni në një masë që nuk e prisnim". Ajo tha se dy të tretat e rasteve nën hetim ishin të lidhura me misionet paqeruajtëse. Rreth 80 ishin shfrytëzim dhe abuzim seksual në vende si Haiti apo Liberia. Inga-Britt Ahlenius mbajti një konferencë në përgjigje të raportimeve të mediave për mashtrime të shumta të lidhura me kontratat e paqeruajtësve të OKB-së. Ajo tha se hetuesit e kanë konfirmuar tashmë që kontratat rreth 600 milionë dollarë kishin abuzime të një farë lloji. Buxheti total për paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara për vitin 2007-2008 shkon në mbi 5 milionë dollarë. Robert Appleton, shefi i Task-Forcës së prokurimeve në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Kombeve të Bashkuara, një organizëm i përkohshëm i ngritur në 2006-ën pas një skandali korruptiv mbi programin "Naftë në këmbim të ushqimit", në Irak, tha se vetëm një pjesë e vogël e kontratave të Kombeve të Bashkuara kishin parregullsi. Appleton shtoi se shumë prej akuzave për korrupsion dhe mashtrim kanë rezultuar në përfundim të verifikimeve, të pabazuara. Ndërkohë, Ahlenius tha se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm po rishikon një kontratë prej 250 milionë dollarësh të nënshkruar mes Kombeve të Bashkuara dhe kompanisë amerikane të mbrojtjes, "Lockheed Martin Corp", për ndërtimin e pesë bazave të paqeruajtësve në rajonin perëndimor të Sudanit, Darfur, që sipas zyrtarëve është firmosur duke shkelur rregullat e konkurrencës. "Ne jemi mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme të kryejmë një hetim mbi rrethanat e nënshkrimit të kësaj kontrate", tha ajo. Asnjë afat nuk është përcaktuar për këtë hetim edhe pse Ahlenius tha se kjo çështje po trajtohej si urgjente. Në tërësi, Ahlenius tha se OIOS dhe Task-Forca e prokurimit kishin dorëzuar te krerët e OKB-së 25 raporte të detajuara për keqmenaxhim, mashtrim dhe korrupsion. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, është kritikuar se i dha një kontratë "Lockheed unit Pacific Architects and Engineers Inc", pa lënë shteg të hapur për konkurrencë. Në dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi një rezolutë ku kritikohej sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për vendimin e tij dhe kërkonte një hetim të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Vetë Ban Ki Moon, ka mbrojtur veprimet e tij duke thënë se rregullat aktuale të OKB-së e lejojnë atë të lidhë kontrata të tilla, në raste të veçanta. Hetimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, do të jenë kështu pjesë e një hetimi të gjerë për të gjitha kontratat e lidhura me një burim, pa konkurrencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›