Kartolina nga Edeni i lënduar
Si të gjitha vendet interesante, Brazili është një vend i komplikuar. Sapo mbërrin në San Paulo ose Rio de Zhanero, fillon të marrësh këshilla të ndryshme për qëndrimin tënd atje: nëse të sulmojnë, jepi çfarë ke në xhep dhe mbi të gjitha mos kundërshto; nëse nxehesh dhe kundërvihesh, agresorët nuk do të hezitojnë për të të lënduar, madje mund të të marrin edhe jetën. Dhe ndërkohë marrin shembuj të ndryshëm, si dikush që u godit me armë zjarri nga një grup adoleshentësh, sepse donte t‘ia mbathte atje. Për shumë adoleshentë që janë rritur në varfëri ekstreme, jeta nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Nuk kanë se çfarë të humbasin ata. Të vrasin ose të vdesin janë dy gjëra që nuk i bëjnë përshtypje. Të këshillojnë që të bësh shumë kujdes kur tërheq para nga makineritë automatike, sidomos në ato që gjenden nëpër banka, pasi janë vendet ideale ku këta agresorë bëjnë pritat e tyre gati të përditshme. Makineria nuk mund të nxjerrë më shumë se 350 euro, një rregull ky i cili është vënë në të gjithë vendin. Të përsërisin disa herë që të shmangësh sjelljen prej turisti dhe të bësh një fotokopje të dokumenteve personale dhe ato origjinalet t‘i mbash gjithmonë në hotel ose diku tjetër ku janë të sigurta. Të tregojnë lagjet më të rrezikshme. Për shembull, në San Paolo, lagjet "Praça da Republika, Praça da Se e Estraçao da Luz" ose qendra tregtare e Rios, gjatë orëve të vona dhe në fundjavë. Të këshillojnë që kur të udhëtosh me makinë të sigurohesh që dyert të jenë mbyllur me siguresë dhe xhamat të hapen sa më rrallë të jetë e mundur. Të tregojnë lloj-lloj histori mashtrimesh, vjedhjesh, rrëmbimesh etj. Nëse del për një shëtitje mos mbaj orë me vlerë, pa diskutim asnjë bizhuteri, makinë fotografike të varur në qafë; shkurt është mirë që të vishesh thjesht. Natën, nëse je duke udhëtuar me makinë, mos ndalo në semafor, ngadalëso shpejtësinë, sigurohu dhe pastaj kalo. Nëse jeni shumë individë, mundohuni që të qëndroni të gjithë së bashku në çdo moment. Brazili është një vend shumë i bukur për t‘u vizituar, por duhet ditur që këtë bukuri e thyejnë varfëria dhe banalitetet.
Po si të veproni atëherë? Si iriqët! Pikërisht kur bëjnë dashuri, sepse tregohen shumë të kujdesshëm, pasi gjembat që mbartin mbi shpinë janë të rrezikshëm.
Brazili gëzon një reputacion të mirë në mbarë botën. Aty ndodhen shumë vende të famshme, sidomos ato ku zhvillohet edhe festa e karnavaleve. Ka një natyrë shumë të bukur dhe të pasur me bimësi të bollshme, peizazhe mbresëlënëse dhe plazhe të mrekullueshme. Por Brazili, një prodhues i madh i naftës (po aq sa dhe Kuvajti) dhe gjithashtu eksportues i shpendëve shtëpiakë dhe kafesë. Por njëkohësisht është edhe një vend i ndarë në dy pjesë: nga njëra anë varfëria e skajshme e favelave (lagjet me baraka në periferitë e qyteteve të mëdha të Brazilit) dhe nga ana tjetër, pasuria e lagjeve rezidenciale. Favelat gjenden në majë të kodrave, ndërsa zonat rezidenciale qëndrojnë poshtë tyre. Ky lloj pozicionimi është burimi i parë i dhunës së madhe që banorët e Rio de Zhaneros dhe San Paolos duhet të përjetojnë çdo ditë. Në një qytet kaq të madh sa San Paolo (tetëmbëdhjetë milionë banorë) dhuna tashmë është bërë një faktor i përditshëm. Policia ushtarake shpesh përballet me grupe të armatosura që tashmë janë bindur se jeta e tyre nuk zgjat më shumë se njëzet e pesë vjet. Filmi "Qyteti i Zotit", që vë në skenë fëmijë rrugësh që transformohen në vrasës, është pikërisht pasqyra e realitetit në Brazil. Një vend ku armët qarkullojnë aq kollaj saqë është e vështirë të ndalosh kriminalitetin me dialog dhe diplomaci.
Një aspekt i trishtueshëm është se brazilianët me gjendje të mirë ekonomike jetojnë në lagje të mbrojtura nga milici private. Duket qartë se mbikëqyrja mbizotëron kudo. Kohët e fundit disa banda kanë ndërtuar një skenar rrëmbimi virtual. Dikush telefonon një familje duke i thënë se është i policisë dhe që është duke bërë marrëveshje me rrëmbyesit për paratë që familja duhet të paguajë për lirimin e personit që, si për rastësi, është e pamundur që të kontaktohet. Telefonata bëhet nga një telefon publik, paratë duhet të dorëzohen në vendin e paracaktuar dhe kështu me radhë. Kështu është krijuar një situatë paranoje. Familjet e pasura tashmë shmangin të duken si të tilla. Pa limuzinë, nuk ka as telashe!
Në San Paolo, qyteti i bulevardeve, vihen re ndërtesat e shekullit XIX. Të gjitha janë bërë zyra të ndërmarrjeve të ndryshme ose sallone dhe dyqane tepër të shtrenjta. Nuk jeton më njeri atje, njerëzit preferojnë të jetojnë në apartamente të cilat vrojtohen rreptësisht nga milicitë private, të cilat nuk lejojnë askënd të futet nëse nuk disponon dokumentet e nevojshme. Në të njëjtën kohë, ky qytet disponon një sallë koncertesh madhështore: Auditori Ibirapuera, i projektuar nga arkitekti Oskar Niemeyer.
Së fundmi, në Rio de Zhanero, personelit të një organizate franceze iu shtua edhe një djalë i ri brazilian nga lagjet e varfëra të qytetit. Tre francezë të kësaj organizate e kishin nxjerrë nga varfëria brazilianin e ri, e edukuan dhe madje i dhanë edhe një vend pune si magazinier. Edhe pse e nxorën nga varfëria, i besuan dhe i dhanë një vend pune të mirë, ai filloi të vidhte nga buxheti i organizatës dhe kur u thirr për të dhënë llogari për mangësitë e evidentuara, nuk hezitoi për të vrarë personat që e nxorën në rrugë të mbarë. Ndërsa në San Paulo ndodhi diçka më e tmerrshme: një bandë sulmon një autoveturë, zbresin të gjithë pasagjerët, por nuk shohin se në sediljen e pasme ishte edhe një fëmijë gjashtë vjeç, i cili ishte bllokuar nga rripi i sigurimit. Pasi hapi derën e prapme u hodh nga makina, por rripi i sigurimit ishte bllokuar dhe fëmija është marrë zvarrë për shtatë kilometra. Në fund të arratisjes, trupi i vogëlushit ishte ndarë më dysh. Një histori tjetër: në bulevardin e madh tregtar të San Paolos u sulmuan tri banka njëkohësisht. Disa plumba goditën kalimtarë të rastit. Një vajzë 16-vjeçare, viktimë edhe e një agresioni të disa muajve më parë, mbeti e paralizuar përjetë. Fakte të tilla që shtypi i publikon përditë, janë pjesë e jetës së zakonshme të këtyre qyteteve të mëdha. Gjithsesi, brazilianët bashkëjetojnë me këto fenomene dhe as që nuk e mendojnë për t‘u larguar nga qyteti. Maria që u rrëmbye në vitin 1996, tregon: "Në momentin kur po dilja nga makina ime, dy burra të armatosur më shtynë brenda dhe njëri prej tyre u ul në sediljen e shoferit. Menjëherë e ruajta gjakftohtësinë, aspak panik, aspak nervozizëm dhe fyerje. Ndaluan përballë një banke dhe njëri prej tyre më shoqëroi për të tërhequr para. Tërhoqa shumën maksimale, një mijë realë dhe pastaj më tha se kisha të drejtë për të bërë edhe një tërheqje tjetër në një tjetër bankë, kështu u nisëm drejt një tjetër banke, ku tërhoqa edhe një mijë realë të tjerë. Dolëm nga qyteti dhe në atë moment fillova të frikësohesha. Mendova se mos më përdhunonin ose ndonjë rrëmbim personi për të përfituar para të tjera. Po më vinin aq shumë mendime në kokë, saqë më zuri paniku. Ashtu siç isha e tmerruar, përfitova nga një ngadalësim i makinës në një kthesë dhe sa hap e mbyll sytë hapa derën dhe u hodha jashtë. Theva një krah dhe një këmbë, por isha e gjallë! Në fillim mendova të largohesha nga Rio, por më vonë preferova të përshtatesha dhe të vazhdoja të jetoja në një qytet aq të bukur si ai!".
Në fakt, duhet të sforcohemi për të mos përgjithësuar, sepse jeta vazhdon dhe shpesh është e bukur. Vendet ndryshojnë bashkë me ata që jetojnë aty. Dhe Brazili duket së tepërmi si një vend mesdhetar, me diçka orientale, magjike, me një popull të gëzuar, të qeshur, mikpritës dhe gjithmonë të paparashikueshëm. Ndërsa dhuna është një karakteristikë e lidhur me një situatë ku është mafia ajo që drejton. Për shembull lagjet e varfëra (favelas, lagje karakteristike braziliane që shtrihen në faqet e kodrave) janë gjithmonë të ndriçuara ditë e natë, pasi të gjithë e vjedhin energjinë elektrike, dhe të vetmet fatura që paguhen nga banorët e atyre zonave janë faturat e paraqitura nga mafia.
Gjatë karnavaleve të famshme që zhvillohen në shkurt, vihet re një "armëpushim". Të gjithë përgatiten për paradën, të gjithë duan të festojnë. Dhuna duket sikur i përket së kaluarës.
Ajo që po përjeton Brazili, ndoshta diçka e ngjashme edhe me qytete të tjera të mëdha në botë, ndoshta shkaktohet nga pabarazia e madhe që ka krijuar një boshllëk ndërmjet klasës së varfër të shoqërisë dhe asaj të pasur. Po të shohësh, tashmë në tregun e makinave janë shtuar ato të blinduarat. Sigurisht, një automjet të tillë mund ta përballojë vetëm shtresa e kamur. Po ato familjet normale që bëjnë një jetë normale dhe gjithmonë janë viktimat më të pafajshme, vallë si do t‘ia bëjnë? Këto janë pasojat e liberalizimit që gjatë rrugës së tij shtyp të dobëtit dhe të papërgatiturit. Gjithsesi Brazili me 180 milionë banorët e tij ecën përpara. Por njerëzit atje kanë mësuar tashmë të bashkëjetojnë me rrezikun, madje të bëjnë një jetë të rrezikshme. Gjashtëdhjetë milionë brazilianë jetojnë në varfëri. Të rinjtë revoltohen duke e nxjerrë inatin me ata që jetojnë më mirë, dhe në çdo mënyrë e dinë se jeta e tyre nuk do të zgjasë shumë. Në Florianopolis, një ishull në jug të San Paolos, është totalisht diçka tjetër. Aty jeta ecën më ngadalë se zakonisht. Turizmi akoma nuk e ka "dëmtuar" dhe në përgjithësi mund të themi se është një vend i mrekullueshëm. Një tjetër Brazil, një tjetër mënyrë për të jetuar. Nuk ka probleme të mëdha me sigurinë aty. Ndërsa Brazili i Presidentit Lula nuk e ka gjetur akoma një zgjidhje për problemin kryesor, i cili është ai i dallimeve sociale. Lula do të donte të ishte lideri i Amerikës Latine dhe bashkëbiseduesi i Shteteve të Bashkuara, por e qortojnë se lufta kundër korrupsionit në Brazil është ende e pavendosur dhe jo frytdhënëse. Kritikojnë stilin e tij të jetesës dhe tregtitë e njërit prej djemve të tij. Por brazilianët e qyteteve të mëdha duket se nuk presin nga shteti për të zgjidhur problemin e sigurisë. Armët qarkullojnë dhe kush ka diçka për të mbrojtur, mundohet të gjeje një siguri. Ndonjëherë habitesh nga fakti se si mund të ketë kaq shumë dhunë në një vend kaq të bukur.