Xhorxh Bush përfundon misionin e paqes
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i dha fund misionit të tij në Izrael dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, të premten, i kënaqur se kishte parashikuar një marrëveshje paqeje brenda vitit, por gjithsesi, nuk pati ndonjë arritje të dukshme në këtë vizitë të tij. Duke lënë pas Tokën e Shenjtë, Bush zbriti mbrëmjen e djeshme në Kuvajt, e para ndalesë mes aleatëve arabë, me shpresën se ato do të ndihmojnë në procesin e brishtë të paqes në Lindjen e Mesme, si edhe në vënien nën fre të Iranit që gjithnjë e më shumë po trazon rajonin. Në mbrëmje, Bush u takua me sundimtarin e Kuvajtit dhe e falënderoi atë për mbështetjen dhe përpjekjet e pareshtura për demokratizimin e shteteve të Gjirit si për shembull, lejimi i grave të votojnë dhe kandidojnë për poste zyrtare. Bush, gjithashtu, falënderoi Kuvajtin edhe për luftën kundër ekstremizmit dhe radikalëve, si edhe për përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme, Liban dhe Irak. Ndërkohë, që më herët, mediat kuvajtiane shkruanin se emiri, Sheiku Sabah al-Ahmad al-Sabah, do t‘i paraqiste Presidentit Bush shqetësimin e vendit të tij për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Iran, që sipas tij, do të destabilizonte rajonin e Gjirit, që është edhe nyja më e rëndësishme e furnizimit të botës me naftë. Bush, mendohet se do të dëgjojë të njëjtin shqetësim edhe nga të tjerë liderë të vendeve arabe të Gjirit që e shohin fqinjin e tyre mysliman-shiit me shqetësim dhe do të donin të ndalnin programin e tij bërthamor, por pa qenë nevoja e një lufte. Kuvajti, që gjithashtu kufizohet me Irakun dhe është një bazë e rëndësishme për mijëra trupa amerikane, ka thënë se nuk do t‘i lejonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përdornin territorin e tij për nisjen e ndonjë lufte kundër Iranit. Gjithsesi, duke u kthyer te qëndrimi i Presidentit Bush në Tel Aviv; duke dhënë një mesazh simbolik, Bush i dha fund vizitës së parë të tij në Lindjen e Mesme, me një vizitë në Malin e Mrekullive, ku Jezusi besohet se ka thënë; "të bekuar janë paqebërësit" dhe rrënojat e sinagogës Capernaum, në Detin e Galileut. Duke sfiduar skeptikët, Bush deklaroi të enjten se do të firmosej një marrëveshje paqeje para se ai të largohej nga detyra në janar 2009. Zëdhënësi i Olmertit tha ndërkohë, se Izraeli mbështeste apelin e Presidentit Bush për një marrëveshje paqe, por bëri të qartë se nuk mendonte se një shtet palestinez do të krijohej këtë vit. "Izraeli shpreson për një marrëveshje historike gjatë 2008-ës, marrëveshje që do të përcaktonte konturet e një shteti të ardhshëm palestinez", tha Mark Regev. E në fakt, pavarësisht se si Mahmoud Abas ashtu edhe Ehud Olmert mbështetën përpjekjet për paqe, të Presidentit Bush, asnjëri prej tyre nuk ofroi ndonjë lëshim domethënës. Gjithsesi, ajo çka ra në sy gjatë kësaj vizite ishte fakti se Bush, ndoshta për të parën herë, ashpërsoi disi tonet kundrejt Izraelit, një vend aleat i SHBA-së, të cilit i kërkoi t‘i jepte fund pushtimit të Bregut Perëndimor, diçka që ai nuk e kishte përmendur asnjëherë më parë. Në të njëjtën kohë, ai i bëri presion edhe Presidentit Abas, të vinte nën fre militantët dhe përsëriti angazhimin e Uashingtonit për sigurinë e Izraelit.