E Diel, 1 Nëntor 2026

Shuhet legjenda e alpinizmit

Alpinisti neozelandez, Edmund Hillari, i cili së bashku me nepalezin Norgay Sherpa ishin të parët që arritën në majën e malit Everest ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. "Alpinisti, aventurieri, filantropisti legjendar është personazhi më i famshëm që ka jetuar ndonjëherë në Zelandën e Re", deklaroi sot Kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark, duke njoftuar për vdekjen e Hillari. Edmund Hillari u ngjit në malin më të lartë të botës në vitin 1953. Shkaku i vdekjes së Hillari nuk bëhet i ditur, por prej disa kohësh ai ishte i sëmurë dhe mediat lokale njoftonin se ai vuante nga pneumonia. "Ai ishte një kolos, një figurë heroike që jo vetëm pushtoi Everestin, por kaloi një jetë vendosmërie, përulësie dhe fisnikërie", tha Clark. Pas ngjitjes në Everest, ai drejtoi një numër të madh ekspeditash në Polin e Jugut dhe Himalaje, e ndërkohë kaloi një pjesë të madhe të kohës duke ndihmuar komunitetin Sherpa, i vendosur në rrëzë të Everestit. Fondacioni i tij "Himalaya Trust" siguronte afro 250 000 dollarë në vit dhe ai personalisht kishte ndihmuar në ndërtimin e shkollave, spitaleve, urave, madje edhe të një aeroporti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›