Viktimat dhe jetëgjatët
Vrasja e fundit e ish-kryeministres së Pakistanit, Benazir Buto, e cila para vdekjes ishte cilësuar si një mbrojtëse e demokracisë dhe modernizimit të vendit, të bën të reflektosh për atë që dikur i famshmi George Berndard Shaw e quajti: "Forma ekstreme e censurës", e kishte fjalën për atentatet dhe vrasjet. Shpesh ata që luftojnë për drejtësi, për ndryshim, paqe, tolerancë dhe ndryshime shoqërore pozitive, bëhen viktima të atentateve, ndërsa ata që përfitojnë nga ekstremizmi i çdo lloji, padrejtësitë, luftërat, intoleranca dhe korrupsioni, zakonisht kanë një jetë të gjatë dhe një karrierë të suksesshme. Të shohim tani disa nga viktimat dhe "fatlumët" e mëdhenj të kohës sonë.
Viktimat
Frank Little - vdiq në moshën 38-vjeçare. Ishte drejtues i klasës punëtore amerikane, i cili u dënua me 30 ditë burg, sepse pati guximin të lexonte me zë të lartë Deklaratën e Pavarësisë në një cep rruge. Në gusht të vitit 1917, pasi kishte organizuar dhe drejtuar një grevë minatorësh, të cilët kërkonin përmirësimin e kushteve shtazarake të jetesës, ai u grabit nga disa persona të panjohur, u torturua barbarisht dhe u vra në Montana. Edhe pse shumëkush mendon se fundi i tij tragjik erdhi për shkak të mbrojtjes që i bëri të drejtave të punëtorëve dhe minatorëve të varfër, fatin e tij e shënoi kundërshtimi i hapur e publik që ai i bëri vendimit të Shteteve të Bashkuara për të hyrë në Luftën e Dytë Botërore. Varrimi i Little ishte një lamtumirë gjigante që ia dhanë mijëra vetë, por edhe pse qeveria premtoi se do të zbulonte autorët e krimit, ata as nuk u identifikuan dhe as nuk dolën kurrë para drejtësisë. Pas vdekjes së Little, strukturat sindikaliste të ngritura nga vetë ai, u shkatërruan.
Harry Moore (vdiq në moshën 46-vjeçare) dhe bashkëshortja e tij, Harriette (vdiq në moshën 49-vjeçare). Ata njihen dhe konsiderohen si martirët e parë të lëvizjes moderne të të drejtave civile. Ata u vranë ditën e Krishtlindjeve të vitit 1951 pas shpërthimit të një bombe në dyshemenë e dhomës së tyre të gjumit. Harry vdiq në çast, ndërsa e shoqja vuajti për 9 ditë. Edhe në këtë rast, shkaktarët nuk u kapën kurrë.
Martin Luther King Jr. (vdiq në moshën 39-vjeçare). Lideri i të drejtave civile amerikane, i cili luftoi për barazinë racore dhe integrimin. Sikurse ndodh në këto raste, atentati ndaj tij u krye në momentin kur po kthehej në një faktor me ndikim të madh për sa i përket çështjes së luftës kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërsa po ngrinte zërin kundër padrejtësive ekonomike. Ai ngriti zërin veçanërisht edhe kundër luftës në Vietnam, pra misioni i tij i kaloi kufijtë e një lufte racore dhe u bë një mision në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe mbi të gjitha një mision antiluftë. Në momentin e vrasjes, më 4 prill të vitit 1968, King kishte dalë në mbështetje të punonjësve afro-amerikanë të sektorit të Shëndetësisë në Memfis.
Robert Kennedy - vdiq në moshën 42-vjeçare. Vrasja e vëllait të tij, John-i, në vitin 1963 dhe ajo e King-ut në vitin 1968, ia bëri të qartë Bobit vështirësitë ekonomike dhe padrejtësitë racore me të cilat përballeshin të varfërit dhe minoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ishte një nga kandidatët e pakët për President të vendit të tij, që ishte i ndjeshëm ndaj indigjenëve amerikanë dhe varfërisë në të cilën jetonin një pjesë e madhe e njerëzve me ngjyrë. Bob ishte kundër luftës në Vietnam dhe shumëkush mendon se nëse ai do të ishte zgjedhur President, ajo katastrofë do të kishte marrë fund shpejt. Por si edhe kampionë të tjerë të paqes, ai u vra pak muaj pas vrasjes së Luther King-ut. Më tragjikja ishte se vdekja e tij i hapi rrugën ardhjes në pushtet të Ricard Nikson-it, njërit prej politikanëve më të korruptuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
John Lennon i cili vdiq në moshën 42-vjeçare. Pasi fitoi një famë të madhe si këngëtar i grupit të famshëm britanik, "The Beattles", Lennon vendosi të kompozonte dhe të luante një muzikë më të motivuar nga ana politike. Performanca e tij në koncertin e vitit 1971 kishte për qëllim që të tërhiqte vëmendjen e njerëzve për vendimin e padrejtë që iu dha aktivistit John Sinclair. Kjo e vuri atë në shënjestër të administratës së Nikson-it. Ai pati shumë probleme me qeverinë, ndërkohë që vazhdonte të ishte kampion i paqes dhe të drejtave njerëzore deri në ditën e fundit të jetës,që si edhe në raste të tjera, ia mori një i panjohur më 8 dhjetor të vitit 1980.
Anwar El-Sadat. Viktimë e turbullirave në Lindjen e Mesme. Përpjekjet e ish-presidentit egjiptian për të sjellë paqen në rajonin problematik e bënë që të ishte lideri i parë arab që kreu një vizitë zyrtare në Izrael. Menjëherë pas kësaj vizite u organizua takimi dhe Marrëveshja e Paqes së Camp David. Fatkeqësisht përpjekjet e Sadat-it për promovimin e paqes çuan në eliminimin e tij fizik, atentatin që ndodhi më 6 tetor të vitit 1981. Ai vdiq në moshën 62-vjeçare
Ruth First - vdiq në moshën 57-vjeçare. Një kundërshtare e zellshme dhe e flaktë e regjimit të Aparteidit në Afrikën e Jugut. First u vra në Mozambik, në gusht të vitit 1982, kur iu dërgua një bombë e telekomanduar në universitetin ku ajo jepte mësim.
Itzhak Rabin - vdiq në moshën 73-vjeçare. Ishte Kryeministri i pestë i Izraelit dhe pavarësisht se në këtë listë është më i vjetri në moshë, motivet e eliminimit janë të njëjta me ato të të tjerëve, pra përpjekja për paqe. Rabin-i do të kishte jetuar më gjatë, me siguri në rast se nuk do të kishte zgjedhur të firmoste Marrëveshjen e Oslos, e cila tentonte t‘i jepte fund konfliktit palestinezo-izraelian. Vrasja e tij ndodhi më 4 nëntor të vitit 1995.
"Fatlumët"
Jozef Stalin (jetoi deri në moshën 72-vjeçare). Ish-lideri i Bashkimit Sovjetik me politikat sociale që ndërmori çoi miliona vetë në kufijtë u urisë ekstreme. Vrau dhe ekzekutoi miliona të tjerë për shkaqe politike. Thuhet se ka vrarë më shumë se vetë Hitleri, por ndryshe nga nazisti, Stalini kishte si objektiv shkatërrimin e njerëzve të kombit të tij.
Mao Ce Dung, i cili jetoi deri në moshën 82-vjeçare. Ish- udhëheqësi i Kinës, me programet e tij të tilla si "Hapi i madh përpara" dhe "Revolucioni kulturor", çoi në vdekjen e miliona kinezëve. Ai ushtronte dhunë ndaj çdo lloj njeriu që guxonte të mendonte ndryshe nga ai. Edhe pse sot ka shifra zyrtare të viktimave të politikës së Mao-s, numri i tyre i vërtetë është jashtëzakonisht i madh dhe ndoshta nuk do të merret vesh kurrë.
Pol Pot (jetoi deri në moshën 72-vjeçare). Lideri i Kmerëve të Kuq ishte përgjegjës për torturën dhe vrasjen e miliona bashkëkombësve kamboxhianë. Pavarësisht një jete të zhytur në krime, vdiq paqësisht në shtrat, pa u përballur asnjë ditë me akuza e gjyqe. E megjithatë, duke pasur parasysh popullsinë e Kamboxhias, ai i orkestruar nga Pol Pot-i konsiderohet si gjenocidi më i madh në histori.
Josef Mengele që jetoi deri në moshën 67-vjeçare. I quajtur ndryshe edhe si "Engjëlli i vdekjes", ai është përgjegjësi për disa prej krimeve më të mëdha të kryera ndonjëherë ndaj qenieve njerëzore. Ishte një mjek që ia dhuroi aftësinë e tij jo shërimit të njerëzve, por eksperimenteve makabre ndaj qenieve të së njëjtës specie. Nazisti Mengele u arratis pas Luftës së II Botërore në Amerikën Latine, ku jetoi për shumë vite në pasuri dhe komfort, i mbrojtur nga regjimet diktatoriale të jugut të kontinentit.
P.W.Botha - jetoi deri në moshën 90-vjeçare. Ish-president i Afrikës së Jugut dhe mbrojtës i zjarrtë dhe i papenguar i regjimit racist e vrasës të Aparteidit, Botha refuzoi të dëshmonte para Komisionit të së Vërtetës e Paqtrimit në Afrikën post-Aparteidit. Komisioni doli në përfundim se Botha ishte përgjegjës për një numër të madh dhunimesh e shkeljesh të të drejtave të njeriut gjatë Presidencës së tij. Mendohet gjithashtu se ai urdhëroi edhe bombardimin e zyrave qendrore të Këshillit të Kishës Afrikane, ku humbën jetë shumë vetë.