"Nuk lindim gra, bëhemi"
Përpara vdekjes qe gjithnjë e aftë të ruante një nënqeshje misterioze. Kur partneri me të cilin kishte ndarë 50 vjet të jetës gjendej i shtrirë në "arkën e vogël" - nga e cila nuk do të qe më kurrë në gjendje të dilte, e ku ajo vetë nuk do të qe më kurrë në gjendje ta arrinte - me shumë gjakftohtësi konkludoi: "Edhe po të më varrosnin pranë teje, nuk do të kish komunikim mes eshtrave të tua dhe asaj që mbetet nga unë".
Simon De Bovuar mbeti përjetësisht besnike ndaj bindjeve materialiste. Kishte hequr dorë që herët nga çfarë i kishte mësuar katolicizmi, feja me të cilën qe pagëzuar, ashti si edhe nga shpresa se në qiellin e pamat ekziston një parajsë. Në moshën 14-vjeçare me mosbesim i kishte thënë së ëmës: "Nuk do të vij më në meshë".
Simon de Bovuar dhe Zhan Pol Sartri në vend që të bashkoheshin, u ndanë nga vdekja, e megjithatë mbetën çifti i shekullit. Kur ajo vdiq, më 14 prill të vitit 1986, thuajse gjashtë vjet pas Sartrit, lëvizja e protestave të vitit 1968 shënoi fundin. Procesioni që shoqëroi filozofen drejt banesës së fundit qe njëherësh edhe tubimi i fundit revolucionar. Admiruesit e saj krijuan një varg të gjatë njerëzor për t‘i kushtuar nderet e fundit gruas që kishte qenë një prej figurave kyçe të Montparnasit, tradicionalisht lagja e intelektualëve dhe artistëve në Paris.
Sheshi i vogël përballë kishës së Shën Zhermenit në Paris sot mban emrin e saj, bashkë me atë të Sartrit, ashtu si edhe një urë e vogël këmbësorësh, që shpie në librarinë kombëtare. Fakti që pas vdekjes emri i saj do të lidhej përjetësisht me atë të një ure, nuk ka asnjë dyshim se do t‘i kish pëlqyer së tepërmi filozofes franceze.
Dhe tani, pavarësisht bindjeve të tyre, në një farë mënyre, dy partnerët janë bashkuar, të paktën në tabelën e kësaj ure të vogël. Për ironi, De Bovuar qe e paepur kur vinte fjala te paprekshmëria e pavarësisë personale, dëshirës për liri, dëshirës për të shijuar jetën, kureshtjes së pashtershme e domosdoshmërisë për të shkruar.
100 vjet pas ditës së lindjes së saj, më 9 janar të vitit 1908, shkrimtarja dhe filozofja franceze Simon De Bovuar mbetet pionierja e emancipimit të grave dhe autorja që e praktikoi këtë emancipim njëqind për qind në jetën e saj. Librat e saj vlerësohen si veprat që hodhën themelet teorike të feminizmit modern. Klasiku i kultit të shkruar nga Bovuar, "Seksi i Dytë", ashtu edhe si vëllimet e shumta me kujtimet personale, nuk ka asnjë dyshim se formëzuan debatin mbi marrëdhëniet mes meshkujve e femrave.
"Sigurisht, trashëgimia e Simon de Bovuar nuk mund të kufizohet në aspektin feminist", thotë Alice Shvarcer, një feministe e njohur gjermane, e cila pati rastin të njihej me filozofen franceze në vitet ‘70. Që nga ai çast, De Buvuar u kthye në modelin që duhej ndjekur. "Por nuk ekziston as edhe një frazë e vetme që të mos jetë bazuar te nocioni se ajo qe një grua në botën e burrave".
Një numër i konsiderueshëm librash dhe biografish të reja rreken të vizatojnë një portret të ri të Simon de Bovuar, të gjejnë diçka të re dhe të pazbuluar deri tani në veprën e saj, dhe sidomos të vlerësojnë qartësinë, integritetin, ndjesinë e së drejtës dhe pasurinë e pamat të vizioneve të saj.
Por nuk janë vetëm veprat ato që e kanë kthyer Simon de Bovuar në intelektualen më të rëndësishme të kohëve moderne, po kaq e rëndësishme në këtë kuadër është edhe jeta e saj. Ishte një mendimtare që mendonte me kokën e saj, dhe jo vetëm një zgjatim i Zhan Pol Sartrit, gjigandit të filozofisë moderne.
E lindur në një familje të shtresës së mesme dhe e edukuar në një shkollë prestigjioze, që në fazat më të hershme të jetës së saj refuzoi me të gjitha forcat të merrte për të qenë nocionin - e konsideruar një fakt i padiskutueshëm në jetën borgjeze të kohës - se bukuria dhe zgjuarsia nuk përkojnë me njëra-tjetrën.
Misioni i një vajze qe të martohej e të rriste fëmijë. Në rast se një familje nuk i kishte mundësitë financiare t‘i garantonte së bijës një prikë të respektueshme, dhe në rast se nuk kishte pasur fatin të lindte me një fytyrë të bukur, vajza duhet të përballej e vetme me fatin.
Te "Seksi i Dytë", i cili u publikua në dy vëllime në vitin 1949 dhe u konsiderua aq skandaloz sa u kthye në sukses të nesërmen e nxjerrjes nëpër librari (22 mijë kopje u shitën që dy javët e para), De Bovuar ekzaminonte pyetjen se çdo të thoshte për gjysmën e njerëzimit ta gjente veten të shtypur, të mbikëqyrur e nën dominimin e gjysmës tjetër, që në të shumtën e rasteve qe edhe gjysma më pak e zgjuar dhe emocionalisht më pak e qëndrueshme.
Eseja shpërtheu si bombë mbi kokën e shoqërisë dhe e damkosi autoren përjetësisht si faktor shkatërrues me përmasa thuajse demoniake. Disa shtresa lexuesish dhe qarqe të caktuara të mediave e quajtën me gjithfarë epitetesh, që nga grua e pakënaqur seksualisht, deri te nimfomane, e ftohtë, lesbike dhe njeri që urrente fëmijët.
Kutia e saj postare mbushej përditë me oferta - shpesh të shprehura në termat më fyes të mundshëm - për ta kuruar, për të plotësuar dëshirat e saj dhe të hapte sytë në mënyrë që të qe në gjendje të shihte të vërtetën, bukurinë dhe hijeshinë. Shkrimtari Fransua Muriak, një katolik dhe një burrë mjaft i respektuar, ishte indinjuar tej mase nga idetë e saj, dhe ndjeu domosdoshmërinë t‘i shkruante revistës ku Bovuar qe një ndër bashkëthemelueset: "Tani di çdo hollësi mbi vaginën e shefes suaj".
Edhe vetë Albert Kamyja, një humanist me bindje të thella, nuk qe në gjendje t‘i pranonte idetë e filozofes, gjë që De Bovuar e mësoi shumë shpejt. Nuk ndihej rehat në praninë e saj dhe ose përpiqej ta tallte në çdo rast, ose kërkonte ta injoronte tërësisht, në varësi të shkallës së irritimit të çastit. "Toni i tij, atëherë kur qe i detyruar të më drejtonte fjalën, ishte sarkastik dhe shpesh fyes", shkruan filozofja.
Gjithsesi, edhe vetë De Bovuar ndjente se diçka nuk përputhej tërësisht në tezën revolucionare "nuk lindim gra, bëhemi".
Njëzetë vite pasi "Seksi i Dytë" pa për herë të parë dritën e publikimit, autorja Suzan Lilar shkroi një kritikë të shkëlqyer mbi këtë themel tronditës të feminizmit modern, artikull që e bindi filozofen të pranonte së paku dallimet gjenetike, hormonale dhe anatomike mes dy sekseve. E megjithëkëtë, mbeti e palëkundur në idenë që është kultura ajo që i jep trajtat mënyrës si perceptohet feminizmi, perceptim që pluskon në të gjitha rastet mes idealizimit dhe demonizimit.
"Gra, duhet ta falënderoni për gjithçka", citohet të ketë thënë gjatë ceremonisë së varrimit të Simon de Bovuar, Elisabet Badinter, një aktiviste e njohur e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e ndikuar fort nga vepra e filozofes franceze. Ekzistencializmi francez e analizoi njeriun në cilësinë e individit krejtësisht të lirë ta krijonte veten përmes veprimeve të veta në vend që ta shqyrtonte si pre e rrethanave. Por a janë të gjithë njerëzit të lirë të veprojnë?
Te kujtimet e saj, Bovuar, së cilës iu desh të mos qe më mes njerëzve për të zënë një vend në histori, shkruan se ndihej e "tradhtuar". Por si radikale avangardë - e adhuruar dhe e përçmuar, vetmitare e vërtetë, e shqyrtuar shpesh nën hijen e Sartrit me të cilin ndan të njëjtin varr në varrezat e Montparnasit - u hapi sytë brezave më të rinj të grave në mbarë botën.
Kritikët ekspozojnë anën "dashakeqëse dhe manipuluese" të ikonës së feminizmit
Bashkë me partnerin e saj Zhan Pol Sartër, Simon De Bovuar u kthye në mishërimin e mendimit të lirë dhe dashurisë së lirë në brezin e pas luftës së Francës
Vepra "Seksi i Dytë", me përmasa aq të rëndësishme, sa qe në gjendje të hidhte poshtë shumë mite mbi kushtet e femrave, mosbesimi mbi tabutë shoqërore, si edhe lidhja e "hapur" që përjetoi me partnerin, ekzistencialistin Zhan Pol Sartër, i ka garantuar një status thuajse mitik, jo vetëm në Francë, por në gjithë botën e qytetëruar. Bashkë me Sartrin, gruaja elegante u kthye në simbolin e të menduarit të lirë dhe të dashuruarit të lirë në Francën e pas Luftës së Dytë Botërore. Për të nderuar 100-vjetorin e lindjes së saj gjatë këtyre ditëve janë hedhur në Francë një gjysmë duzine librash, ndërkohë që po mbahet një simpozium madhështor mbi atë vetë dhe punën e saj.
"Në rast se sot po nderojmë Simon De Bovuar, këtë e bëjmë pasi pati kurajën e jashtëzakonshme të jetonte një lidhje të lirë e të hapur në vitin 1929, të fliste për kushtet e grave në një formë që nuk ishte hasur kurrë më parë", tha studiuesi amerikan Hazel Rouli, autor i një studimi të lidhjes mes Sartrit e Simon de Bovuar. "U bë pre e një orteku të vërtetë urrejtjeje, që u pasqyrua më së miri te letrat e panumërta që iu dërguan për shkak të trajtimit të temave si ato për standardet e plakjes, trupit femëror, lesbizmit, abortit".
Për Daniel Salenav, autor i një biografie të re të Simon de Bovuar, "ajo tregoi se gratë janë të lira ta zgjedhin fatin e tyre po aq sa edhe burrat, dhe nuk kanë përse t‘i binden asaj që supozohet se u është diktuar nga natyra dhe bindjet shoqërore".
Miti Sartër-Bovuar
Por teksa studiuesit, përfshi këtu edhe Roulin dhe Salenavin, kanë arritur të grumbullojnë dekada korrespondence mes Sartrit e Simon De Bovuar, të publikuara pas vdekjes së të dyve, miti i çiftit që e ka bazuar bashkëjetesën te mirëkuptimi i dyanshëm dhe tek idealet fisnike, lëkundet dhe zbulohet një realitet më i errët.
"Na kanë gënjyer? Përgjigja është po", shkruante gjatë kësaj jave revista "Le Point", ndërkohë që një prej titujve kryesorë të "L‘Express" thoshte: "Ajo që nuk guxojmë ta shohim te Bovuar". Po gjatë kësaj jave "Nouvel Observateur", në faqen e parë të saj, në një foto ku Bovuar shfaqej lakuriq shkruante "Skandalozja Simon De Bovuar".
Kontradiktat konvergojnë te një pakt i famshëm i bërë mes të dyve në vitin 1929 - themeli i lidhjes së tyre që zgjati plot gjysmë shekulli - i cili i linte që të dy të lirë të shijonin dashuriçkat, deri në çastin kur kjo bëhej në transparencë të plotë. Ashtu si raportet tashmë të njohura mirë me shkrimtarin hungarez Artur Kostler apo me amerikanin Nelson Algrin, letrat zbulojnë se ajo kishte joshur një varg të gjatë studentesh përpara se t‘ia prezantonte Sartrit. Që të dy partnerët i diskutojnë me qetësi këto çështje.
Përmes letrave të studiuara nga Salenave, shkruan "Le Point", "zbulohet një Sartër me tipare të forta mashkullore, autoritar e xheloz", ndërsa Bovuar përshkruhet si dashakeqe, gjakftohtë e manipuluese karshi dashnorëve dhe dashnoreve të saj. Zbulohet gjithashtu se De Bovuar ka gënjyer për sa i përket aventurave lesbike, duke mohuar deri në fund të jetës se kishte pasur lidhje të kësaj natyre. Kritikët thonë se kjo sjellje nuk mund t‘i përqaset imazhit që gëzon si ikonë e feminizmit.
Disa punë të vonshme e kanë akuzuar për miratimin e pushtimit nazist të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore - për pak kohë ka punuar gjatë asaj kohe në radion "Vishi" - ndërkohë që bashkë me Sartrin kritikohen ashpër për qëndrimin e munguar ndaj krimeve të Stalinit në vitet që pasuan.