Hidhet shorti për anglezët e pedofilisë
Tre shtetasit britanikë që janë akuzuar për abuzimet me minorenët në qendrën "Fëmijët e tij", do të gjykohen për akuzën e "marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur", nga gjyqtari Gerd Hoxha. Dje në Gjykatën e Faktit në Tiranë është hedhur shorti për caktimin e gjyqtarit që do të drejtojë trupin gjykues të kësaj çështjeje. Të tre të pandehurit, dy prej të cilëve ndodhen të arrestuar në Angli, në pritje të vendimit të drejtësisë britanike për ekstradimin e tyre, kanë nisur të gjykohen në Gjykatën e Tiranës, së bashku me ish-kuzhinierin e qendrës rreth dy muaj më parë. Por në mënyrë jo dhe aq të papritur i pandehuri i katërt, Janaq Papleka, në seancën e kaluar të procesit, ka pranuar fajin dhe ka kërkuar gjykimin e shkurtuar. Trupi gjykues, duke pranuar kërkesën e tij, ka bërë edhe ndarjen e çështjes nga të pandehurit e tjerë, të cilët tashmë do të gjykohen nga një tjetër trup gjykues, që sipas shortit do të drejtohet nga gjykatësi Gerd Hoxha.
Skandali i qendrës "Fëmijët e tij" është konstatuar në maj të vitit 2006. Braun, drejtuesi i fondacionit, u vu në pranga nga policia më 18 maj, ndërsa pak ditë më vonë, policia arrestoi edhe kuzhinierin e qendrës, i cili u akuzua për "moskallëzim krimi", pasi ishte konstatuar se ai kishte dijeni për abuzimet që në fondacion. Në të njëjtën kohë, u shpallën në kërkim Dino Christodulu dhe Robin Arnold. Gjatë hetimeve, Braun ka mohuar akuzat, duke thënë se ata që kishin abuzuar me fëmijët ishin dy britanikët e tjerë, të cilët për këtë shkak ai i kishte përzënë nga qendra.