E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplaset treni me makinën, plagoset një person

Një aksident ka ndodhur paraditen e djeshme, ku janë përfshirë treni i transportit të mallrave të linjës ndërkombëtare Shkodër Bajzë-Hani Hotit dhe një automjet tip "Benz", ku ndodheshin katër persona, njëri prej të cilëve është plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 minuta në fshatin Shtoj, ku makina tip "Benz 240" me targë Sh0653C në të cilën ndodheshin katër persona, në momentin që po kalonte mbi një mbikalim në shinat e trenit, është përplasur nga lokomotiva. Si pasojë e përplasjes, treni ka tërhequr për rreth 30 m mbi shina makinën, me gjithë pasagjerët që ndodheshin brenda. Për fat, makina ka dalë nga shinat, duke iu shmangur përplasjes së mëtejshme. Personi që ndodhej te vendi i pasagjerit ka pësuar dhe dëmtime më të mëdha, pasi goditjen e parë makina e ka marrë te dera e pasagjerit, ndërsa dy personat e tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta. Mësohet se gjendja e të plagosurve është në kontrollin e mjekëve. Drejtuesi i makinës punonte si taksist, dhe po dërgonte tre pasagjerë në fshatin Shtoj, ndërsa treni i mallrave po udhëtonte nga Shkodra drejt stacionit ndërkombëtar të Bajzës. Sipas policisë, shkak i aksidentit është bërë pakujdesia e drejtuesit të makinës, i cili ka tentuar të kalojë në një mbikalim të paligjshëm. Ndërkohë vetëm 100 m larg vendit të ngjarjes, ndodhej mbikalimi i rregullt, i cili mbase po të ishte përdorur si rrugë kalimi nga drejtuesi i mjetit, nuk do të kishte ndodhur aksidenti i cili mund të kishte pasur pasoja tragjike. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe procedurale nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në polici si dhe është sekuestruar makina tip "Benz", ndërsa treni i mallrave pas disa orësh ka vazhduar sërish rrugën drejt stacionit të Bajzës. Mbikalimet e paligjshme janë bërë mjaft problematike në linjën hekurudhore Shkodër-Hani Hotit, e vetmja linjë hekurudhore ndërkombëtare në Shqipëri. Kështu numërohen mbi 30 mbikalime të paligjshme të ndërtuara nga vetë banorët e zonave për të shkurtuar rrugë, por nga ana tjetër ato po provokojnë aksidente nga më të rrezikshmit. Në lidhje me mbikalimet e paligjshme, drejtori i Hekurudhës në Shkodër, Tonin Trupa, është shprehur se të tilla veprime nga banorët e zonës përgjatë gjithë linjës hekurudhore deri në Han të Hotit, kanë vështirësuar së tepërmi punën e hekurudhës, sepse drejtuesit e lokomotivave janë të detyruar të ecin me një shpejtësi minimale dhe kjo ul cilësinë e shërbimit tek të gjithë ata biznesmenë të cilët marrin mallra të ndryshme nga e gjithë bota, për t‘i sjellë në Shqipëri. "Për këtë situatë kemi ngritur zërin disa herë, madje kemi evidentuar të gjitha mbikalimet e paligjshme dhe kemi ndërhyrë me policinë ndërtimore, por sërish mbikalimet ndërtohen, ndaj duhet ndjekur një rrugë më e ashpër për të gjithë ata banorë që marrin nisma të tilla të kundërligjshme, pasi tani ky shqetësim është kthyer në një fenomen tepër shqetësues", është shprehur drejtori Hekurudhës Shkodër, Tonin Trupa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›