E Diel, 1 Nëntor 2026

Tropojë, sulmohet grupi i gatshëm, bien në pranga dy persona

Në Tropojë dhe në Elbasan, në qendër të sulmeve kanë qenë në shënjestër disa persona dhe çdo gjë ka përfunduar me arrestimin e agresorëve. Rikthehet qëndrimi agresiv ndaj policisë në Tropojë, karakteristikë e viteve të shkuara. Një grup prej tre të rinjsh kanë sulmuar me sharje dhe goditje me grushte grupin e gatshëm të Policisë së Tropojës. Sherri mes të rinjve dhe policëve të grupit të gatshëm kishte nisur një ditë më parë në qytetin e Bajram Currit dhe kishte degraduar në goditje fizike mes tyre. Për këtë shkak, blutë kanë vënë në pranga Admir Mulgecin, 29 vjeç, dhe Fatmir Ismailgecin, 32 vjeç, nga fshati Geghysen i Tropojës, të akuzuar se kanë konsumuar veprën penale "goditje të punonjësve të policisë për shkak të detyrës". Lajmin e bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë në Kukës, të cilat sqaruan se në sherr ishte i përfshirë edhe një tjetër person i tretë, i shpallur tashmë në kërkim nga policia, emri i të cilit nuk bëhet publik. Ndërkohë burime nga qyteti i Bajram Currit nënvizojnë faktin se mllefi i të rinjve që goditën policët e grupit të gatshëm në mes të qytetit zë fill dy ditë më parë, kur uniformat blu të këtij rrethi shoqëruan dy nga shokët e Ismailgecit dhe Mulgecit pas një konflikti të rastit, ku ata ishin përfshirë dhe që për zgjidhjen e tij pa pasoja, grupi i gatshëm i kishte shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tropojë. Policia nuk bën publik as emrat e policëve të goditur, por thotë se ata nuk kanë dëmtime të forta fizike. Ndërkohë, janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Tropojë, ku dy të rinjtë rrezikojnë të dënohen deri në tre vjet heqje lirie. Ngritja e dorës kundër Policisë së Shtetit, karakteristikë e viteve 1997-2205, ka shënuar një kthim prapa në kuptimin e rendit në qytetin e vogël verilindor. Kishte të paktën dy vjet që nuk kishte ndodhur një gjë e tillë në Tropojë.

Ndërkohë tre persona janë arrestuar nga uniformat blu të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, pasi kanë fyer e kundërshtuar katër efektiva të policisë. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme janë arrestuar në flagrancë Dritan Guda, 20 vjeç, Dionis Qevani, 18 vjeç dhe Arben Shtembari 40 vjeç, të tre banues në qytetin e Elbasanit. Po sipas burimeve në fjalë, mësohet se këta tre shtetas janë arrestuar për arsye se rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në afërsi të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" kanë fyer e kundërshtuar me dhunë për shkak të detyrës katër efektiva të policisë. Aktualisht këta shtetas ndodhen në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit në pritje të hetimit për veprën penale "fyerje dhe kundërshtim me dhunë për shkak të detyrës‘.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›