E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Jo amnistisë për Kejdi Koten

Nuk ka mundur të fitojë lirinë i njohuri si supermashtruesi që vodhi nëpërmjet dokumenteve false Bankën e Kursimeve në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka rrëzuar dje kërkesën e bërë nga Kejdi Kote për të përfituar nga amnistia që Kuvendi ka miratuar në fillim të këtij viti. Gjyqtari Martin Deda në seancën e djeshme vendosi "Rrëzimin e kërkesës së bërë nga Kejdi Kote, si të pabazuar në ligj e në prova", duke i mohuar në këtë mënyrë vjedhësit të bankës lirinë e parakohshme. Kote kishte kërkuar amnistimin për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Nisur nga fakti se ai tashmë ka kryer pjesën më të madhe të dënimit, si dhe ka përfituar ulje të dënimit për sjellje të mirë, ishte llogaritur, duke përfituar nga amnistia ai do të mund të fitonte lirinë. Por kjo nuk është arritur, pasi gjykata e ka rrëzuar kërkesën e tij.

Në vitin 2000, Kejdi Kote, atëherë 25-vjeçar, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të ndryshme dhe mashtrimit, arriti të grabiste 20 milionë lekë në Bankën e Kursimeve në kryeqytet. Gjithçka ndodhi brenda pak ditësh, në një nga agjencitë e Bankës së Kursimeve që ndodhej në bulevardin "Zogu I" në kryeqytet. Pas zbulimit të ngjarjes, ai u fsheh për një farë kohe në mënyrë shumë spektakolare policisë, por më pas ra në pranga dhe gjykata e dënoi me 11 vjet heqje lirie. Aktualisht ai ndodhet në burgun e Vaqarrit, ku duket se do të qëndrojë deri në fund të dënimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›