E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, vidhet shtëpia e anglezit

Ndërsa vjedhjet e banesave dhe makinave janë shtuar në qytetin e Elbasanit, këtij "pasioni" nuk i ka shpëtuar edhe banesa me qira e një anglezi, që jeton e punon për llogari të një OJQ-je në qytetin e Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet e ditur se është konstatuar një vjedhje në banesën e një shtetasi me kombësi të huaj, i cili jetonte me qira. Mësohet se ka qenë vetë 50-vjeçari Nikolas Wakeley, një shtetas britanik me qëndrim të përkohshëm në vendin tonë, i cili ka bërë kallëzimin në polici për vjedhjen e banesës. Menjëherë, në vendin e ngjarjes është dërguar grupi hetimor, ku ka konstatuar se persona ende të paidentifikuar, pasi kanë kaluar murin rrethues të banesës private, janë futur në bodrum, e më pas kanë shqyer një dërrasë të dyshemesë së dhomës në lagjen "5 Maji". Më pas janë futur brenda dhe kanë vjedhur katër karta bankare, të cilat ky shtetas i kishte lënë në një portofol, vendosur në dollapin e rrobave si dhe një aparat incizimi, vlera e të cilave llogaritet në rreth 15.000 lekë të reja. Nga ana e policisë po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, shtetasi britanik ka vepruar shpejt në qendrën e informacionit të "Tirana Bank", me qëllim që vjedhësit të mos përdornin kartat e tij të kreditit, pasi në portofol kanë qenë dhe kodet e përdorimit. Ndërsa për këtë shqetësim, britaniku është siguruar dhe vjedhësit nuk kanë mundur të procedojnë, për të mbetet vetëm kthimi i aparatit regjistrues si dhe garancia e sigurisë për mospërsëritje të këtij akti. Ndërkaq rasti i dytë i vjedhjes ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Në komisariatin e policisë është paraqitur Franc Gjika, 22 vjeç, në lagjen "Qemal Stafa", i cili ka deklaruar se persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur automjetin e tij tip "Benz".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›