E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj prezanton drejtoreshën e re të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve

TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Rudina Hoxha është drejtoresha e re e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot Hoxhën me stafin e Agjencisë, teksa theksoi se “ky emërim vjen bashkë me një ridimensionim të rëndësishëm të rolit të AKP-së: më shumë përgjegjësi, më shumë prani në territor dhe më shumë koordinim me bashkitë për mbrojtjen e pyjeve dhe ekosistemeve”.

“AKP nuk do të jetë një agjenci satelit, por një institucion që së bashku me Ministrinë, do të jetë në krye të proceseve për administrimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve”, tha Jaupaj.

Ministri Jaupaj tha se “shtimi i 4 agjencive rajonale e afron më shumë punën me nevojat reale në terren, ndërsa gjithashtu Ndërmarrja Shtetërore e Pyjeve do të funksionojë nën orientimin e AKP-së”.

“Do të jemi më pranë komuniteteve, më afër natyrës dhe më të fortë në mbrojtjen e pasurisë sonë të gjelbër”, tha Jaupaj.

1 nga 4

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›