Hu Jintao: Burri i fortë i Kinës së Madhe
A është apo jo Presidenti i Kinës, Hu Jintao, tifoz i Hollivudit. Kjo është një nga gjërat e shumta që nuk dimë për liderin e vendit me popullsinë më të madhe në botë. Një vit më parë, për t‘u treguar popullor, ai deklaroi në një intervistë se i pëlqente të shihte shumë filmat e Spilbergut, veçanërisht "Indiana Jones". Burri që drejton 1.3 miliardë vetë, banorët e ekonomisë me rritjen më të madhe botërore dhe vendin që e ka fituar tashmë statusin e një fuqie globale dhe që është në pritje të organizimit të Lojërave të ardhshme Olimpike, mbetet një personazh misterioz, si brenda, ashtu dhe jashtë Kinës. Ai shfaqet gjithmonë me atë maskën e buzëqeshjes së ngrirë, që nuk ndryshon kurrë. Pyetja është: A mundet ky njeri t‘i japë një vlerë ndërkombëtare performancës së shkëlqyer politike brenda vendit?
Pas buzëqeshjes së ngrirë fshihet një njeri i çeliktë. Në pozicionin e shefit të Partisë Komuniste të Tibetit, Jintao ishte i pari që uroi Deng Xiaopingun për suksesin në shtypjen e përpjekjeve demokratike të demonstruesve të Pekinit në qershor të vitit 1989. Dhjetë vjet më vonë, fjalimi që mbajti pas bombardimit që bënë amerikanët në ambasadën kineze në Beograd, kishte një retorikë të frikshme antiamerikane. Për t‘iu rikthyer edhe njëherë Spilbergut, vendimi i fundit i regjisorit amerikan
për t‘u tërhequr nga pozicioni i këshilltarit artistik të Lojërave Olimpike, është shenja e parë që muaji i mjaltit i Kinës që nga çasti kur iu caktua mbajtja e Lojërave Olimpike në vitin 2001, ndodhet drejt fundit. Deri tani, e gjithë vëmendja është përqendruar te përparimet e mëdha që ka pësuar Kina nën udhëheqjen e Hu Jiantao-s. Muajt e ardhshëm pritet që ai të përballet me përplasje më pak të këndshme me komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi që është përpjekur të japë Jintao gjatë disa viteve, për publikun e huaj, ka qenë ai i rëndësisë së ndërtimit të një "shoqërie harmonike" dhe dhënies së një zgjidhjeje hap pas hapi të problemeve që shfaqen. Lideri 65- vjeçar ka mbështetur reformat ekonomike të paraardhësit të tij, Jiang Zemin, i cili trashëgoi pasojat e qeverisjes së Deeng Xiaopingut që nisën 30 vjet më parë, në momentin kur vendi nisi të hapej. Në lidhje me çështjet shoqërore, politika e liderit është që të ndalojë, censurojë dhe përdorë propagandë aty ku është e mundur, dhe mbi të gjitha, ai nuk është tifoz i lirisë së shtypit. Me rastin e Lojërave Olimpike, lidershipi i tij duhet të përballet më mbulimin e medias ndërkombëtare, e cila do të jetë e pranishme që në fillim. Ajo pritet të jetë e ndjeshme në lidhje me dështimin e Kinës për të dhënë maksimumin e saj në çështjen e dhimbshme të Darfurit, apo në të tjera si liria e shtypit, të drejtat e njeriut për ata që pretendojnë se kanë humbur shtëpitë dhe pronat e tyre për ndërtimet olimpike, për tibetianët që kërkojnë autonomi më të madhe, për uigurët e Xinjangut që kërkojnë të trajtohen më mirë, apo për krijuesit kinezë të blogeve që guxojnë të pëshpëritin fjalë të ndaluara si "demokracia". Hu nuk e ka pranuar kurrë kryerjen e reformave demokratike tipike perëndimore në vendin e tij dhe po bën ç‘është e mundur që të mos lejojë organizimin e protestave, të ngjashme me ato që u zhvilluan në Evropën Lindore në fund të viteve ‘80 e që përmbysën komunizmin. Gazetarët dhe disidentët kanë qenë ndër të parët dhe të shumtët që janë arrestuar nga regjimi i Jintao-s, ndërkohë që ai gjithnjë e më shumë ka thelluar studimin në shkolla e qendra pune të mësimeve e ideologjisë së partisë. Këmbëngulja e tij për të nënshtruar e shtypur çdo lloj disidence, veçanërisht daljet e opinioneve on-line, tregon se ai është i ndërgjegjshëm për rrezikun që përbën për pushtetin e partisë së tij vetë interneti. Kina ka qindra mijëra uebsajte dhe pritet që të shpallet e të shndërrohet si përdoruesi më i madh i internetit në botë. Hu është një nga nxitësit më të mëdhenj të popullaritetit të internetit në Kinë dhe thotë se ai është i domosdoshëm për çështjet tregtare, por kur bëhet fjalë për çështje të propagandës tregohet shumë i rreptë. Mendimi i Hu Jintao-s për Olimpiadën është një çështje kyçe. Lojërat kanë ndikuar shumë në rritjen e krenarisë kombëtare, por prioritetet e Presidentit sigurisht që shkojnë përtej garave sportive apo ndërtimeve me arkitekturë të jashtëzakonshme. Do të ishte gabim po të mendoje se lidershipi komunist do të vendoste lojërat, para qëllimeve të saj ekzistenciale, të tilla si bashkimi me Tajvanin, apo vazhdimi i qeverisjes në vend nga një parti e vetme. Hu Jintao dhe shokët e tjerë të partisë veprojnë përmes diplomacisë që mbështetet nga fuqia ushtarake. Megjithatë, ai është shumë i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe vlerën që ka propaganda në rastet e aktiviteteve të mëdha për më tepër në një rast siç janë Lojërat Olimpike dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për nxitje dhe reklamim të kulturës kineze, asaj sportive, por edhe kulturës në përgjithësi. Sipas partisë, ndikimi i Kinës në kulturë, sport dhe sfera të tjera jashtë, duhet të jetë në maksimumin gjatë ditëve të Lojërave Olimpike. Nën qeverisjen e Hu-së, partia është shfaqur me një tjetër fytyrë, sidomos gjatë viteve kur Kina po merrej me ndërtimet olimpike. Gjatë gjithë kësaj kohe ka funksionuar një qendër e madhe mediatike, e cila ka pritur dhe përcjellë gazetarë nga të gjitha anët e botës, duke u ofruar edhe konfortin maksimal. Edhe gjatë lojërave, ata do të kenë të gjithë konfortin e mundshëm, madje më mirë se në vendet perëndimore. Për sa i përket Presidentit, politikat e tij janë po aq të padeshifrueshme sa edhe vetë personaliteti i tij. Shumë analistë e konsiderojnë Hu-në më shumë si një Brezhnjev të Kinës sesa si një Gorbaçov, pra një lider detyra e të cilit është konsolidimi i pushtetit dhe sheshimit të të gjitha vështirësive që ka përjetuar Kina dhjetëvjeçarët e fundit. Që nga Revolucioni Kulturor i Mao Ce Dunit, kulti i personalitetit nuk pëlqehet shumë në Partinë Komuniste të Kinës. Kjo është arsyeja e të pasurit e shumë pak detajeve për jetën e Hu-së.
Ndër të paktat gjëra që dihen në lidhje me Hu-në është fakti se ai pëlqen shumë lojën e pingpongut dhe ka një kujtesë shumë të mirë fotografike. Edhe vendlindja e tij është një mister më vete. Biografia zyrtare thotë se ai ka lindur në vitin 1942 në Jixi në Anhui, një krahinë e vogël kineze. Por ekzistojnë edhe versione të tjera, sipas të cilave ai ka lindur në familjen e disa tregtarëve të çajit në Jiangcu. Askush nuk e di me siguri se ku banon i pari i vendit, edhe pse mendohet se banon në Zhongnahai, një lagje vetëm për liderët e shquar të Partisë, i cili është një lloj qyteti i ndaluar për të gjithë ata që nuk banojnë aty. Hu jep shumë rrallë konferenca për shtyp dhe ka dhënë vetëm një intervistë zyrtare që kur ka ardhur në pushtet në vitin 2002. Misteri është arma e tij kryesore. Si shumë liderë të gjeneratës së re, ai ka studiuar inxhinieri. Gruaja e tij është një arkitekte dhe çifti ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, të cilët studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën emra të rremë, për të mos tërhequr vëmendjen. Profili publik që ka kultivuar është ai i një lideri njerëzor, por sipas botëkuptimit dhe traditës komuniste. Atë e kanë parë tek bashkohet e rri me fshatarët mongolë në mot të keq, të shtrëngojë duart me minatorët dhe punëtorët e porteve, t‘i japë biçikletës në fshat. Nuk dihet se sa janë shpenzimet e tij, por të jep përshtypjen e një kursimtari. Ka pasur një përvojë pune në disa zona të vështira e të varfra të vendit dhe ndoshta që nga ajo kohë, ai e ka idenë se çdo të thotë të jesh i varfër. Në vitin 1992, ai u katapultua në Partinë Komuniste dhe u përcaktua si pasardhësi i Deng Xiaopingut. Ishte 49 vjeç dhe njëherazi një ndër liderët më të rinj të vendit. Nuk i ka shërbyer kurrë Byrosë Politike të fuqishme të vendit të tij. Ai ishte lideri i parë pa një përvojë ushtarake. Edhe pse u bë drejtuesi i partisë në vitin 2002 dhe Presidenti i vendit në vitin 2003, ai nuk u pa kurrë që të mbahej me të madh dhe mbajti një profil të thjeshtë dhe të parëndësishëm në sy. Në vendet kryesore e postet më të rëndësishme të vendit, vuri njerëzit e tij të besuar, të cilët merren shumë edhe me propagandën. Madje edhe tetorin e kaluar ndryshimet që ndodhën në Byronë Politike ishin shumë të rëndësishme, pasi ishin të gjitha të propozuara nga Hu. Shpresat e hershme se ai mund të ishte një reformator liberal, u tretën brenda muajve të parë të qeverisjes së tij. Edhe pse Hu është munduar që të ndërtojë portretin e një njeriu të popullit, faktikisht Kina është një nga vendet ku dasitë mes të varfërve dhe të pasurve janë ndër më të mëdhatë në botë. Për sa i përket situatës reale në zonat e varfra të vendit, Hu nuk jep kurrë raporte apo lajme të sakta. Askush nuk e di se cila është situata e sëmundjes së SIDA-s apo problemeve të tjera në thellësi të shtetit, ku miliona e miliona njerëz jetojnë në kushte shumë të vështira. Një lëvizje kyç e javës që shkoi ishte edhe emërimi në pozicionin e drejtorit të Lojërave Olimpike i një miku të tij të afërt. Kjo ndodhi para se Spilbergu të njoftonte protestën e tij. Me gjithë kundërshtinë, Hu misterioz është i vendosur që t‘i shndërrojë Lojërat Olimpike në një sukses të vërtetë për Kinën, të paktën propagandistik. Se sa do të jetë e mundur, vlen për t‘u parë muajt në vijim.
Jeta
Ditëlindja: 21 dhjetor 1942
Familja: I martuar, me dy fëmijë.
Shkollimi: Është diplomuar në inxhinieri për hidroelektrikë
Ka thënë: Bill Gates: "Ju jeni një mik i Kinës dhe Kina një mikeshë e ‘Microsoft‘"
Kanë thënë për të: "Mendoj se çasti vendimtar për Darfurin është tani. Duhet të ketë përparim të dukshëm të ngjarjeve në vendin afrikan, madje brenda javëve që vijnë. Bota ka nevojë për ndërhyrjen e Kinës në këtë pjesë të botës"