E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastro, jo lamtumirë politikës

Ka vendosur që të largohet nga drejtimi i vendit, por jo nga skena politike. Lideri historik i Kubës, Fidel Kastro, i cili dy ditë më parë njoftoi mosangazhimin e mëtejshëm në krye të Kubës, i ka gjetur ndërkohë një tjetër okupim vetes. Ai do të luajë rolin e ideologut në Kubën komuniste. 81-vjeçari, i cili nuk gëzon shëndet të plotë, nuk do të ketë detyra konkrete qeveritare, por do të vazhdojë të qëndrojë sekretar i Parë i Partisë Komuniste dhe do të vazhdojë të shkruajë artikuj për çështje të brendshme të vendit dhe për situatën ndërkombëtare. Synimi i tij do të jetë që të vakë shpresat e nxehta të atyre që kujtuan se me largimin e Kastros Kuba do të lërë pas edhe komunizmin. "Do të vazhdojmë të presim me padurim refleksionet e shokut Kastro, që do të jenë një arsenal i paçmueshëm në përpjekjen tonë për të ecur në rrugën e komunizmit", ka deklaruar dje zëdhënësi i Partisë Komuniste. Largimi i Kastros pas gjysmë shekulli në krye të qeverisë ishte në njëfarë mënyre i pritshëm që pas problemeve shëndetësore të Kastros dy vjet të shkuara. Që nga ajo kohë, ai ia kaloi pushtetin përkohësisht vëllait të tij, Raul, i cili aktualisht është numri një në Kubë. Për dhjetëvjeçarë të tërë, armiqtë e Kastros kanë pritur largimin e tij nga drejtimi i vendit, çka pritej të sillte ndryshime ideologjike, por edhe ekonomike në vendin komunist që vuan nga varfëria. Dalja në pension e Kastros i jep të gjithë pushtetin Raulit. Asambleja kombëtare pritet që të konfirmojë zyrtarisht Kastron tjetër si President të vendit në mbledhjen e ardhshme që do të zhvillohet të dielën. Fidel Kastro, i cili e mori pushtetin përmes armëve në revolucionin e vitit 1959, nuk ka dalë në publik që nga kriza e tij shëndetësore në vitin 2006. Pas lajmit të dy ditëve më parë, të paktë janë ata kubanë që shpresojnë në ndonjë ndryshim thelbësor të situatës, pasi vëllai i Kastros pritet, siç ka bërë deri tani, të ndjekë të njëjtën linjë qeverisjeje si edhe Fideli, çka do të thotë se nuk do të ketë asnjë nga zhvillimet e pritshme që të gjithë shpresonin se do të ndodhnin pas ikjes së Kastros si President i vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›