E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: S‘marrin pjesë në tryezën e reformës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se nuk do të bëhet pjesë e tryezës së Presidentit për reformën në drejtësi. Sipas tij, partia që drejton nuk mund të kthehet në fasadë të procesit të mazhorancës për dhunimin e institucioneve të pavarura. Gjinushi kujtoi se tanimë shumica në pushtet nuk e ka problemin me opozitën, por me këto institucione kushtetuese, që kërkon t‘i nënshtrojë. Në këtë linjë, kreu socialdemokrat nuk shikon mundësi dhe arsye për bashkëpunim mes pozitës dhe opozitës për reformat. Qeverisja e djathtë, u shpreh Gjinushi, deri më tani ka kryer vetëm antireforma. Sakaq Gjinushi u ndal te Presidenti Bamir Topi, duke nënvizuar se ai e ka humbur besimin e opozitës, kur u bë pjesë e pazareve të Kryeministrit Berisha. Për të mbështetur këtë pretendim, Gjinushi solli në vëmendje emërimin e Kryeprokurores së re dhe shkarkimin e ish-kreut të akuzës, Theodhori Sollaku. Sakaq nënkryetari i PSD-së, Ëngjëll Bejtaj, tha se opinioni publik ndoqi shfaqjen e dhënë nga ministri Basha në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe veçanërisht deklarimet e tij pas daljes nga mjediset e Prokurorisë ku ai bëri çdo përpjekje për t‘u paraqitur para opinionit si i pafajshëm për çka akuzohet. "Kjo lloj shfaqjeje ishte sfida më e madhe që mund t‘i bëhet një shteti ligjor dhe një përpjekje për të keqpërdorur një institucion, siç është Prokuroria e Përgjithshme", vlerësoi ai. Bejtaj tha se PSD-ja vazhdimisht është shprehur në mbështetje të funksionimit të shtetit ligjor dhe pavarësisë së institucioneve, si dhe ka denoncuar çdo përpjekje për keqpërdorimin apo nëpërkëmbjen e tyre. "Tashmë bëhet e qartë se institucionet që po nëpërkëmben e keqpërdoren janë edhe Kuvendi e Prokuroria e Përgjithshme", konstatoi ai. Sipas Bejtaj, Kuvendi ka kohë që ka dalë nga rruga e funksionimit normal. Provë për këtë është miratimi i një sërë ligjesh që bien ndesh me Kushtetutën, si dhe shkelja në mënyrë të vazhdueshme e rregullores së funksionimit të tij. Ndërsa në zyrat e Kuvendit vazhdon të flejë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ministrit Basha, e cila prej kohësh duhej të kishte marrë një përgjigje dhe të ishte kthyer në një vendim të Kuvendit. "Prokuroria e Përgjithshme ende ka një shans të ruajë pavarësinë dhe autoritetin e vet, të cilat ia jep Kushtetuta dhe ligji organik. Kryeprokurorja e re duhet të shprehet drejtpërdrejt nëse i qëndron kërkesës së firmosur nga paraardhësi i saj për heqjen e imunitetit të ministrit Basha", u shpreh nënkryetari i PSD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›