E Diel, 1 Nëntor 2026

Wagons-Lit, "pensionistet" më të rinj të Evropës

Lamtumirë vagonëve shtretër. Pas 131 vjetësh shërbim, stacionet hekurudhore franceze kanë nxjerrë jashtë qarkullimit dhjetë "veturat" e fundit, trashëgimtare të një historie legjendare, të cilat kanë dalë jashtë funksionit për shkak të kompanive ajrore me kosto të ulët e të trenave të tjerë më të shpejtë e funksionalë.

Tashmë, vetëm 19 mijë persona vazhdonin të udhëtonin mbi ato vetura të viteve ‘70, me një shtrat relativisht komod, një lavaman në një cep të dhomës, një raft për të mbajtur brenda rrobat. Ai prek shumë qytete evropiane dhe u jep mundësinë pasagjerëve të rijetojnë magjinë e udhëtimeve luksoze të atyre viteve. Luksi i një kohe ishte transformuar në një transport të kushtueshëm dhe pak tërheqës. Franca është pasardhësja e Britanisë së Madhe për nxjerrjen nga qarkullimi të këtyre trenave. Nga viti 2001-2006, oferta e trenave të natës ka rënë në 12,5%, ndërsa numri i pasagjerëve edhe më shumë: -25.5%, me një mesatare prej 5,7% çdo vit.

Në Francë kishin mbetur pak njerëz të cilët shijonin kënaqësinë e një udhëtimi me tren natën, i cili ngjante me një udhëtim të kohëve të kaluara. Ambienti është i këndshëm e shumë qetësues, me një kabinë që mund ta mbash të gjithën për vete (ashtu siç bën një i pasur), ose ta ndash me ndonjë të panjohur. Një botë krejtësisht tjetër, ku mund të bëhej edhe ndonjë takim i rëndësishëm, ndoshta i destinuar të zgjaste përjetë. Sigurisht, Joseph Kessel në librin e tij, "Wagon lit", në fillim të viteve ‘30, e ekzagjeronte kur pohonte se në ato vetura "burrat ishin më të guximshëm dhe gratë më të bukura". Por edhe ai ishte tërhequr nga një mit, lindur më 1859, me shpikjen e madhe dhe përhapjen në fillim të viteve 1900 të trenave legjendarë si "Orient Express" (mbreti i trenave dhe treni i mbretërve).

Megjithatë, për francezët "shtrati udhëtues" (inauguruar më 1 janar të vitit 1876 në linjën Paris-Branson) lidhet veçanërisht me "Train bleu", blu si karrocat e si deti, ku transportonte qindra e mijëra persona. Lidhte Parisin me brigjet e kaltra dhe në një farë mënyre ishte treni arketip që të bënte të ëndërroje: natën të zinte gjumi, para se të arrije në Borgonja dhe zgjoheshe në mëngjes me diellin që ndriçonte "shtratin udhëtues", teksa përshkonte rrudhët e Mesdheut. Mbi ata shtretër flihej më rehat se në shtretërit e mbushur me pambuk, me çarçafë të larë e të bardhë akull.

Në fillim të viteve ‘70, një milion njerëz hipnin çdo vit në një "shtrat udhëtues". Tashmë ishte bërë një simbol i rëndësishëm, një luks i vogël për shtresat e mesme. Por në atë kohë nuk ekzistonin kompanitë ajrore me kosto të ulët, që sot të çojnë në çdo cep të botës për pak kohë dhe për një shumë të vogël parash. E mbi të gjitha nuk ekzistonin ende trenat elektrikë. Sot, një i tillë mund të përshkojë 770 kilometra vetëm për tri orë që ndajnë Parisin nga Marseja.

Kështu, të pasionuarit pas "shtrati udhëtues" kanë filluar të rrallohen pak nga pak. Deri të shtunën mbrëma shërbenin ende në tri linja: Paris-Ventimilja, Paris-Branson dhe Luksemburg-Nisë, por mesatarisht vetëm një e katërta e vendeve ishin të zëna. Shumë nga dashamirësit e saj e kanë braktisur për të udhëtuar me mjete më të sofistikuara, të shpejta, të rehatshme e me më pak para. Dikur, të udhëtoje me trenin në fjalë, të nevojiteshin të paktën 200 euro, ndërkohë që sot ka shumë mjete transporti më të lira e më të rehatshme. Konkretisht, një udhëtim në klasin e parë Paris-Nisë kushtonte 251 euro në një kabinë të vetme. Sigurisht që është një shifër e lartë, veçanërisht po të kërkosh në sajte të ndryshme interneti, të cilat shesin bileta avionësh për të gjithë planetin: një udhëtim Paris-Nju Jork, vajtje-ardhje, shitet vetëm për 411 euro, ndërsa për Paris-Nisë kushton 188 euro.

Trenat e vjetër, të pajisur me dhoma të vogla e krevate, kanë dalë jashtë tregut, para se të dilnin jashtë funksionit. Askush nuk është më i gatshëm të paguajë dyfishin apo trefishin e shumës dhe të udhëtojë për orë e orë të tëra në lidhje me kushtet e reja që jemi mësuar. Çdo vit, klientët e trenit pakësoheshin nga 20-25%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›