Opozita, dilemat që ndajnë të majtët për reformën në drejtësi
Reforma në drejtësi duket se po e shoqëron me dilema bllokun opozitar. Qëndrimi i mëtejshëm pas shkarkimit të Kryeprokurorit Theodhori Sollaku për të majtën nuk është unik. Tryeza e organizuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shoqëruar me reagime të ndryshme. Socialistët vijojnë të mendojnë se shumica ka thyer në mënyrë të njëanshme konsensusin politik për reformën në sistemin e drejtësisë. Më të lirshëm në qëndrimin e tyre shfaqen kryetarët e Partisë Demokracia Sociale dhe Aleanca Demokratike. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, deklaroi se personalisht nuk ka marrë asnjë ftesë për në tryezë. "Me aq sa jam në dijeni, as kolegët e Komisionit të Ligjeve nuk kanë marrë një ftesë të tillë", u shpreh Braçe. Ai shtoi se kemi të bëjmë me një tryezë në nivel ekspertësh dhe le të shkojnë ekspertët. "Di të them se nuk ka pasur ftesa në nivel partish dhe tryeza nuk është e nivelit politik", nënvizoi Braçe. Dy prej aleatëve të Partisë Socialiste, dje kanë shfaqur qëndrime të lëkundura dhe jo në të njëjtën linjë me aleaten e tyre. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale e konsideroi mjaft të rëndësishme reformën në sistemin e drejtësisë. Milo u shpreh se çdo hap që ndërmerret për fillimin e reformës në drejtësi do të jetë i mirëpritur, ndaj dhe çdo emocion duhet të kapërcehet në emër të realizimit të një reforme sa më të thellë, sa më të mirë dhe sa më të dobishme për forcimin e shtetit ligjor. "Besoj se Partia Socialiste ka të drejtë të reagojë për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, por kjo çështje është tashmë një kapitull i mbyllur", konstatoi ai. Milo shtoi se kapitujt e mbyllur nuk mund të mbyllin përgjithmonë edhe gjëra të tilla kaq shumë të rëndësishme, siç është edhe reforma në drejtësi, e cila nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e Kryeprokurorit, por është shumë e rëndësishme. Milo siguroi se kur të organizohet komisioni parlamentar për reformën në drejtësi, opozita do të mblidhet dhe do të marrë një vendim. "Nuk besoj se vendimi që është shprehur përkohësisht mund të jetë një vendim strategjik i një partie politike, qoftë kjo edhe e Partisë Socialiste", theksoi Milo. Të njëjtat ide me Milon ndan edhe kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Në këndvështrimin e tij, reforma në drejtësi duhet të konceptohet si një reformë strukturore. "Qëndrimi i Partisë Socialiste për këtë çështje nuk mund të jetë një shkak për të penguar një reformë, e cila kërkohet nga njerëzit, aty ku procedurat zgjaten dhe aty ku drejtësia ka mungesa", tha Ceka. Ai pranoi se si një qytetar i Republikës së Shqipërisë mendon se reforma në drejtësi duhet të jetë serioze e duhet të bëhet nga drejtësia, jo nga zyrat e partisë. Sakaq socialistët menjëherë pas shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, reaguan publikisht, duke e cilësuar të mbyllur nga shumica reformën në drejtësi. Socialistët pretenduan se shumica e djathtë kishte zaptuar të gjitha institucionet e pavarura. Duke nënvizuar se tanimë kemi një sistem të drejtësisë të rënë totalisht në duart e një grushti njerëzish që drejtojnë Kryesinë e vogël të Partisë Demokratike. Selia rozë mendon se sot jemi njësoj siç ishim në vitin 1996, kur të gjitha pushtetet burojnë nga Sali Berisha, kontrollohen nga Sali Berisha dhe nuk kanë asnjë lloj balance. Partia më e madhe e së majtës është shprehur në një moment se reforma në drejtësi do mund të kryhet vetëm kur të rikthehet në pushtet opozita.