I ftohti mbush urgjencat në spitale
Jo vetëm festat e vitit të ri, por edhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë po bëhen burim shqetësimi dhe problemesh për qytetarët. Ushqimet, pijet, i ftohti, gëzimi për të hedhur fishekzjarrë, jo gjithmonë mund të sjellin kënaqësi. Këto ditët e fundit, të gjitha këto janë bërë shkaktare të krijimit të fluksit të pacientëve në disa nga urgjencat e spitalit.
Plot 80 raste janë paraqitur me helmime nga ushqimi i Vitit të Ri apo nga pijet, në urgjencën e infektivit. Rreth 70 pacientë të tjerë janë drejtuar për ndihmë në urgjencën e kardiologjisë, nga 150 deri në 250 raste fëmijësh të sëmurë shkojnë për vizitë në urgjencën e pediatrisë. E si për të mbyllur të gjithë atmosferën e vitit të ri, plot 40 persona, që nga data 31 janë paraqitur në urgjencën e djegie plastikës për djegie apo lëndime nga fishekzjarrët dhe lëndët e ngjashme plasëse që kryesisht fëmijët kanë hedhur për festa. Helmimet kanë qenë kryesisht nga teprica apo ushqimet e pakontrolluara, nga abuzimi me pijet apo kalimi i masës edhe me ushqimin edhe me pijen në të njëjtën kohë.
Një pjesë tjetër, që është klasifikuar në grupin e "të pakujdesshmëve", kanë qenë edhe fëmijët apo adoleshentët të cilët kanë abuzuar me lëndët plasëse, fishekzjarrët apo gjithë elementët që mund të krijojnë lëndime. Nuk ka pasur të plagosur rëndë, megjithatë të gjitha rastet e paraqitura në këtë shërbim kanë qenë vetëm për "faj" të fishekzjarrëve.
Por edhe ata që kanë qëndruar të kujdesshëm, mosha apo sëmundjet u kanë ndërprerë festën përgjysmë. Temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin janë bërë shkak për shqetësime kardiake, atak apo edhe infarkte. Urgjenca e kardiologjisë ka qenë e mbushur edhe për rastin e festave.
Në kardiologji po rikthehet edhe njëherë fluksi si në muajin tetor, i cili mblidhte çdo ditë deri në 100 pacientë brenda 24 orëve. Të sëmurët kryesisht kanë shqetësime me aritminë, probleme me frymëmarrjen, kriza, mungesë qetësie apo kollë, e cila shkaktohet nga shqetësime të organit që vendos në funksionim gjithë organizmin. Sipas mjekëve, i gjithë fluksi i pacientëve shkaktohet sapo ka ndryshime të temperaturave. Sikundërse fëmijët, ashtu edhe të sëmurët me zemër janë shumë të ndjeshëm gjatë kësaj periudhe dhe me uljen e temperaturave, ftohjen e motit, apo ndryshimet e tjera klimaterike, vijnë edhe çrregullimet në organizëm apo shqetësimet në zemër. Të gjitha këto ngushtime të enëve të gjakut, kriza në zemër apo shqetësime të tjera, duhet të konsultohen me mjekun dhe jo me farmacistin. "Një pjesë e pacientëve, si pasojë e aritmisë së zemrës apo shqetësimeve të tjera si kollë- dhe për këtë pavarësisht mpirjeve që ndjejnë, apo bllokimeve në gjoks, mendojnë se u është shkaktuar nga bllokimi i mushkërive dhe gripi -marrin shurupe apo ilaçe për hollimin dhe zbrazjen e sekrecioneve, por nuk është kështu", sqarojnë mjekët. Sipas tyre, në raste shqetësimesh duhet të paraqiten te mjeku i familjes, i cili do të bëjë konsultën, si dhe do të përshkruajë recetën mjekësore me medikamentet përkatëse. Në përgjithësi, pacientët nuk e zbatojnë sistemin e referimit dhe drejtohen për ndihmë në urgjencën e kardiologjisë, në spitalin qendror "Nënë Tereza". Kjo shkakton edhe fluksin e madh në dyert e këtij shërbimi, ku çdo ditë paraqiten nga 80 deri në 100 të sëmurë me zemër. Kapaciteti i shërbimit të kardiologjisë në QSUT është 18 shtretër në shërbimin e urgjencës (atje ku merret vetëm shërbimi), rreth 93 shtretër për shtrim dhe 19 të tjerë në reanimacion. Në këto kushte, ku shërbimi nuk ofron kapacitete për shtimin dhe kujdesin e të sëmurëve në spital, mjekët këshillojnë zbatimi e sistemit të referimit, pasi në këtë periudhë shumica e të sëmurëve nuk kanë probleme të rënda, por shqetësime si pasojë e ndryshimeve klimaterike.