Shënohet temperatura minimale, Peshkopia -14 gradë Celsius
I ftohti i acartë ka përfshirë gjithë territorin e vendit në këtë fillimviti. Dje, Peshkopia ka përjetuar temperaturë ekstreme, -14 gradë Celsius. Këtë e ka shënuar termometri në këtë zonë. Kjo është temperatura më e ulët e regjistruar për këtë sezon dimri. Ndërkohë, edhe qytete të tjera, kryesisht në Veri dhe Verilindje në vendit, janë përfshirë nga i ftohti dhe ngricat. Kështu, temperatura minimale në qytetin jugor të Ersekës ka qenë -13 gradë Celsius. Qytete të tjera me temperatura shumë gradë poshtë zeros janë edhe Puka, Bulqiza, Kukësi e Korça, ku termometri ka shënuar përkatësisht -9 gradë, -11 gradë dhe -11 gradë Celsius. Një lajm i mirë vjen nga Shërbimi Meteorologjik për 24 orët në vazhdim. Shefi i parashikimit, Vangjel Mustaqi, bëri të ditur për Shqip se "për zonat malore temperatura minimale do të rritet me 2 gradë". Çka do të thotë se në qytetet e lartpërmendura nuk do të ketë temperatura më të ulëta se
-11 gradë. Ndërsa për vendet e ulëta dhe bregdet temperaturat do të vijnë në ulje. Kështu, kryeqyteti dje kishte temperaturën minimale -2 gradë dhe atë maksimale 7 gradë Celsius dhe pritet që minimalja të ulet edhe me dy gradë të tjera. Sipas sinoptikanëve, mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët, me vranësira të pakta gjatë ditës së sotme. Në fund të ditës, vranësirat do të vijnë duke u shtuar. Ndërsa për datën 5 janar parashikohen akoma më shumë reshje shiu, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit. Për sa u përket reshjeve të dëborës, e cila ka qenë problematike gjatë këtyre ditëve në Veri e Verilindje të vendit, Shërbimi Meteorologjik bën të ditur se reshjet do vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Deri tani, shtresa e dëborës në disa qytete ka qenë: Pukë 20cm, Kukës 20cm, Peshkopi 14cm, Bulqizë 20cm. Era ka fryrë e lehtë, deri mesatare, deri 35 km/orë nga Verilindja. Parashikimet tregojnë se era do të vazhdojë të fryjë me intensitet të ulët në të gjithë vendin.