I ftohti, temperatura të ulëta edhe për këtë javë
Edhe këtë javë nuk do të ketë ndryshime drastike të temperaturave që kanë përfshirë vendin dhe komplet rajonin. Mot i vranët, temperatura të paqëndrueshme, reshje shiu dhe dëbore në zonat e thella. Ky ka qenë parashikimi jo vetëm për fundjavën, por edhe për ditët e para të javës së re. Rrymat e ftohta të veriut të Evropës, si edhe i ftohti i dimrit janë bërë bashkë dhe po mbizotërojnë komplet rajonin. Temperatura të ulëta, që tashmë kanë kaluar në minus, do të jenë bashkëshoqëruese të ditëve në vazhdim. Sipas parashikimit të Institutit të Hidrometeorologjisë, edhe ditët e para të kësaj jave do të jenë të ftohta, temperaturat do të jenë të ulëta dhe moti do të jetë i vranët, me reshje dhe i paqëndrueshëm. Do të kemi reshje shiu dhe në formën e dëborës.
Konkretisht, sipas të dhënave të termometrit, parashikohen temperatura nën 0 gradë Celsius. Vendi ynë do të ndikohet
nga vlera të larta të presionit atmosferik. Masat e ajrit që qarkullojnë janë relativisht të paqëndrueshme të gjerësisë mesatare detare. Moti parashikohet të jetë i alternuar me vranësira të ndërrueshme, të çrregullta, mesatare e të dendura që vijnë duke u zvogëluar në pjesën e dytë të ditës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e reshjeve lokale të shiut. Era do të fryjë me shpejtësi 1-5 metra në sekondë në drejtimin veriperëndim-juglindje. Valëzimi në bregdet parashikohet të jetë 2-3 ballë.
Temperaturat më të ulëta dhe më të larta në qytetet kryesore parashikohen si më poshtë: Në Tiranë 1 dhe 9 gradë Celsius, Shkodër -3 dhe 6 gradë Celsius, Kukës 10 dhe -6 gradë Celsius, Durrës 1 dhe 12 gradë Celsius, Peshkopi -10 dhe -4 gradë Celsius, Kuçovë -1 dhe 12 gradë Celsius, Gjirokastër 0 dhe 5 gradë Celsius, Korçë -6 dhe 1 gradë Celsius. Po ashtu, në Lezhë parashikohen temperatura pothuajse të njëjta me dje,
Lezhë 1 dhe 11 gradë Celsius, Elbasan 0 dhe 7 gradë Celsius, Sarandë dhe Vlorë 1 dhe 12 gradë Celsius. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës që kanë "izoluar" një pjesë të zonave malore në Shqipëri nuk do të bëhen shkak krize. Ministri i Shëndetësisë, sipas një urdhri të lëshuar kohë më parë, ka përgatitur situatën për përballimin e emergjencave dhe ka ngritur grupet e punës për rastet e bllokimeve të rrugëve.
Të 12 spitalet rajonalë kanë ngritur grupet e ndihmës së shpejtë dhe janë në gatishmëri 24 orë. Njëkohësisht gati për të dhënë ndihmën mjekësore janë edhe spitalet e rretheve, që kufizohen me rrethet me probleme. Si pjesë e emergjencave civile shëndetësore janë edhe njësia e helikopterëve, njësia e ambulancave dhe grupe të posaçme mjekësore të Tiranës.