E Diel, 1 Nëntor 2026

Tkurret HEC-i i Bushatit

Projekti i vjetër i hidrocentralit të Bushatit është hedhur përfundimisht poshtë nga qeveria, duke e zëvendësuar me një tjetër. Hidrocentrali i ri do të quhet Ashtë. Ai do të ndërtohet në një tjetër vend dhe do të ketë karakteristika teknike të tjera. HEC-i i Ashtës do të ndërtohet me koncesion të tipit BOT (Ndërtim, Operim dhe Transferim) dhe do të ketë një fuqi të instaluar prej 60 MW. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të përgatisë procedurat për hapjen e tenderit për ndërtimin e HEC-it të Ashtës. "Brenda pranverës, METE do të shpallë dhe garën konkurruese për ndërtimin me koncesion të këtij hidrocentrali", bëjnë të ditur burime nga Ministria e Ekonomisë.

Si këshillues i procesit është përzgjedhur IFC dhe projekti pilot i ndërtimit të HEC-it të ri të Ashtës zbatohet në kuadër të shfrytëzimit të potencialit të burimeve ujore shqiptare për prodhimin e energjisë elektrike. Ndërkohë, IFC i ka dhënë të gjithë asistencën e nevojshme ligjore METE-s, në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional, me qëllim lehtësimin në realizimin e transaksioneve për Partneritetin Publik dhe Privat (PPP). HEC-i i ri i Ashtës ndodhet në lumin Drin, në afërsi të kufirit me Malin e Zi. Ai parashikohet të ndërtohet në pjesën e poshtme të rrjedhës në kaskadën e lumit Drin. Projekt-ideja bazë është konceptuar si një HEC me derivacion, me kapacitet të instaluar rreth 50- 60 MW. Skema e veprës përbëhet nga prita ekzistuese e Spatharës, me kanal dërgimi, ndërtesë centrali, si dhe një kanal largimi, i cili do të shërbejë për derdhjen e ujërave përsëri në lumin Drin. Për të realizuar Partneritetin Publik-Privat, investitorët do të jenë firma, apo konsorciume etj., me eksperiencë si në ndërtim, operim, por dhe financim në sektorin e hidrocentraleve. Ky HEC zëvendëson atë të Bushatit, ecuria e diskutimit të të cilit zgjati shumë në vite, që nga 1996, por u ndesh me kundërshtime nga specialistë të energjetikës si dhe të mjedisit, pasi dëmtonte rëndë sipërfaqet tokësore të zonës në rrjedhën e fundit të lumit Drin dhe të Bunës, por dhe në territorin e Malit të Zi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›