E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, materniteti vendos numra telefoni për denoncime

Secilit i ka ndodhur të paktën një herë, që kur shkon të takojë pacientët në spital, jashtë orareve të paguajë për të hyrë brenda. E thënë në fjalë të thjeshta, duke i dhënë ryshfet rojes, apo punonjësit të sigurisë në një nga spitalet, apo qendrat shëndetësore. Për të eliminuar të gjitha këto akte të "vogla" korruptive, administrata e maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" ka marrë iniciativën për të bërë publike numrat e telefonit, për të gjithë qytetarët dhe pacientët, të cilëve u kërkohen para për t‘u futur brenda. Një njoftim zyrtar është ngjitur në derën qendrore të administratës në të cilën sqarohen hapat që duhet të ndërmerren në rastet kur kërkohen ryshfete për të hyrë në spital.

Njoftimi

"Si të luftojmë korrupsionin". Kjo është lënda të cilën sqaron njoftimi. Shkruesi është administrata e spitalit në bashkëpunim me shoqërinë e ruajtjes dhe sigurisë. Për kujdesin e qytetarëve sqarohet se: "Me qëllim që të zbatohen kërkesat e rregullores së brendshme të spitalit obstetrik-gjinekologjik takimet me pacientët e spitalit të bëhen sipas orarit të miratuar. Qytetari që futet në spital të ketë një leje të lëshuar nga shefat e pavijoneve. Kjo bëhet fjalë për jashtë orarit të takimit të pacaktuar". Më tej, njoftimi vazhdon: "Lutemi: nëse ju kërkohet të paguani për t‘u futur në spital njoftoni 267883 të telefonit për të kontaktuar me shoqërinë e sigurisë fizike, ose edhe me administratorin në numrin 0692129670.

Po ashtu, numra të tjerë të telefonit, të cilët janë vendosur nga Ministria e Shëndetësisë mund të denoncohet për të gjitha rastet, kur mjekët në këmbim të shërbimit kërkojnë para shtesë veç rrogës që marrin çdo muaj nga shteti dhe si rrjedhojë nga shuma e taksave që paguan rregullisht çdo qytetar. Disa javë më parë, "Transparency Internacional" e ka renditur shëndetësinë si më të korruptuarën nga të gjitha shërbimet e tjera në vendin tonë.

Raporti

Në barometrin e "Transparency International" theksohet se kriter vlerësues për sektorët e korruptuar janë "mohimi i shërbimeve jetike, cenim i mirëqenies dhe standardeve minimale të jetesës", Po ashtu, në kapitullin e parë shëndetësia paraqitet si sektori më problematik. Nga ana tjetër, lidhur me korrupsionin, versioni zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë: "Mjekët kryejnë korrupsion "pasiv", ndërsa janë pacientët ata që janë aktivë në dhënien e ryshfetit". Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të masave kundër korrupsionit, ka vendosur një linjë të veçantë telefonike për denoncimin e rasteve abuzive. "Kemi bashkëpunim të mirë me pacientët për denoncimin e rasteve korruptive, por këto ende nuk e kanë dhënë efektin e pritshëm, pasi çuditërisht, një pjesë e qytetarëve nuk preferojnë të marrin përgjegjësi publike, të denoncojnë të korruptuarit dhe rastet e abuzimeve. Ftesa ime për këdo është: mos jepni para nën dorë, mos pranoni të paguani shërbime që shteti u garanton falas, mos kurseni kohën për të kërkuar të drejtat tuaja dhe mos hezitoni të denonconi këdo që abuzon me ju dhe nevojat tuaja shëndetësore", ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›