Aksident në thellësinë 1000 metra, plagoset rëndë minatori
Përsëri aksident në Minierën e Kromit në Bulqizë. Nga shembja e mineralit nga tavani i galerisë është aksidentuar rëndë minatori 45-vjeçar Sami Doga. I aksidentuari, së bashku me tre minatorë të tjerë, po përgatitnin për armatim një front kërkimi kromi në një nga galeritë e nivelit të 16-të, të pusit nr.2, mbi 1000 metra nën tokë, ose 10 metra nën nivelin e detit. Naim Laçi, shoku i tij i punës, tregon për "Shqip": "Ishte ora 14:30 minuta, kur pasi kishim përgatitur një kuadrat prej druri dhe po vendosnim një të dytë, janë parë shenjat e shembjes së tavanit të galerisë. E tërhoqëm me shpejtësi Samiun, por shembja e madhe e gurëve të mineralit të rëndë, e kapi atë në gjysmën e trupit, duke e dëmtuar rëndë në të dyja këmbët". I plagosuri është dërguar menjëherë në spital, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore, por mungesa e mjekëve specialistë ortopedë, që për këtë spital është e domosdoshme, krahas specialistëve të tjerë, ka bërë që ai të përpëlitet nën rënkimet e vazhdueshme nga dhimbjet e forta, ku mjekët veç serumit dhe disa injeksioneve qetësuese, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë tjetër. Në të tilla kushte të mungesës totale të mjekëve specialistë, në këtë spital, ai është dërguar me helikopter në Tiranë për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Mjekët e këtij spitali kanë shënuar si diagnozë në kartelën e hapur për këtë qëllim, "politraum gjendje shoku, paraplegji inferior, frakturë osispedis bilaterale". 45-vjeçari Doga, baba i tre fëmijëve, kishte mbi 20 vjet punë në minierë, ku për çdo ditë së bashku me minatorë të tjerë, vinte në punë nga fshati Fushë-Bulqizë, rreth 7 kilometra larg, për të siguruar të ardhura për familjen e tij në gjendje të varfër. Puna në minierë, në sektorin e prapavijës, ishte e vetmja mundësi e tij për mbajtjen e familjes me bukë. Edhe para rreth një viti, tregojnë shokët e tij minatorë, Sami Doga është aksidentuar me plagosje të rëndë në të njëjtin nivel, që aktualisht është më i thelli i këtij pusi. Kryetari i Konfederatës së Sindikatës së Minatorëve, Dilaver Përkoxha, që i qëndronte te koka të aksidentuarit, gjen rastin dhe shprehet për mediat, se ende kushtet e punës në minierë, me gjithë punën e bërë, lënë për të dëshiruar. "Do të jetë fundi i këtij muaji, kur ne minatorët edhe do të shprehemi për plotësimin e këtyre kushteve, sipas premtimit që na është bërë, qoftë nga qeveria, qoftë edhe nga firma e huaj ruso-austriake", tha Përkoxha. Në fillim të muajit qershor të këtij viti, në këtë minierë, nisën protestat e 660 minatorëve, kryesisht për rritje pagash dhe kushte të sigurisë në punë. Situata në këtë minierë erdhi në rëndim të vazhdueshëm, gjë që solli humbjen e jetës për 4 minatorë të saj, në më pak se tre muaj. Kjo e detyroi më në fund ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, që të lëshonte urdhrin për mbylljen e kësaj miniere, deri në plotësimin e kushteve të sigurisë në punë, gjë për të cilën po punohet edhe aktualisht. Pas një pune gati dymujore, për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë, kërkuar nga sindikata e minatorëve, ka rifilluar pothuajse në të gjitha nivelet e pusit, puna për nxjerrjen e mineralit. Vetëm në pak galeri ende vazhdon përgatitja për shfrytëzim. Pikërisht në një të tillë, ka ndodhur edhe aksidenti i radhës dje.