Protestë në Lukovë, kundër hidrocentralit
Projekti për ngritjen e hidrocentralit të Sasajt, i cili është parashikuar të kalojë në pronat e banorëve të Lukovës, është bërë shkas për përsëritje të protestës së tyre. Miratimi që i është bërë ditë më parë nga KRRT e Qarkut Vlorë sheshit të ndërtimit të kësaj vepre, ka nxitur protestën e banorëve lukovjotë, të cilët e kanë quajtur investimin një vepër skandaloze për bregdetin dhe me shkelje flagrante të ligjeve në fuqi. Banorët e ngritur në protestë, në mbështetje të të cilëve kanë qenë edhe mjaft emigrantë të ardhur enkas nga Greqia, kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit. Ata thanë se kanë besuar në mirëkuptimin e vendosur muaj më parë kur përfaqësues të fshatit Lukovë kanë kontaktuar me zotin Jamarabër Malltezi, koordinator i projektit për menaxhimin e integruar të bregdetit të Jugut dhe specialist të huaj, të cilët kanë qenë në krah të banorëve. Kryetari i kryesisë së fshatit Lukovë, Vasil Nasti, tha për "Shqip", se nga dokumentet kadastrale që ata disponojnë, çdo metër katror e territorit të fshatit Lukovë është në pronësi të banorëve të fshatit. Protesta e banorëve të Lukovës është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe pa incidente, ndërkohë që ajo do të njohë përshkallëzim në rast të mosmarrjes parasysh të kërkesave të paraqitura.