E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, drutë e zjarrit nuk janë më zgjidhje për të varfrit

Kriza e dritave dhe mungesa e teknologjisë së kohës për përdorimin e gazit në Kukës bën që banorët t‘i drejtohen alternativës së përdorimit të druve të zjarrit. Por, së fundi, edhe kjo alternativë duket se përbën një luks, pasi çmimi për një metër kub sa vjen e rritet. Vetëm një muaj më parë, 1 metër kub dru zjarri ka kushtuar 2 mijë lekë, ndërsa dje çmimi në treg ishte 3 mijë lekë. Banorët hezitojnë të harxhojnë kaq shumë për ngrohje, kur një pjesë e mirë e familjeve mbahen me ndihmën ekonomike të shtetit, që është e përafërt me vlerën e një metri kub dru. Kjo situatë, siç tregojnë ekspertët, nuk vjen vetëm nga kriza e dritave, por ngaqë pyjet tashmë po i afrohen limitit. Në rrethin e Kukësit, sipas Drejtorisë së Pyjeve, llogariten rreth 20 mijë ha me pyje, nga rreth 60 mijë që ka pasur tri dekada më herët. Prerjet pa kriter gjatë këtyre viteve kanë bërë që institucionet kompetente të vihen në alarm, duke shtrënguar edhe lejet përkatëse, por dëmin më të madh në këtë drejtim e kanë sjellë zjarret e verës së shkuar. "Pyjet më të mira ku bënim dru zjarri u dogjën, tani mbetet vetëm të mbledhim mbetjet dhe shumë shpejt as që mund të flitet më për dru zjarri", thotë një tregtar i druve të zjarrit nga Komuna Surroj. Nga ana tjetër, alternativa e përdorimit të gazit duket ende larg për banorët e asistencës ekonomike të Kukësit. Gazi apo nafta përbëjnë një alternativë jo shumë të njohur. Teknikët e një firme nga Prizreni, që merren me montimin e sistemit, thonë se për një numër familjesh është ende i kushtueshëm (sipas tyre për një apartament sistemi i ngrohjes kushton deri në 2000 euro), e cila bazohet në djegien e kursyer të karburantit dhe druve të zjarrit gjithashtu. Një familje me hapësirë 2+1 mund të konsumojë për një muaj deri në 5 mijë lekë për gazin apo naftën, ndërsa ambienti mbahet shumë më mirë se me dru. Drutë e zjarrit shiten me çmim mjaft të lartë edhe në Kosovë, por transporti për atje është tepër i vështirë në rrugë ligjore. "Atje drutë i shesim deri në 47 euro një metër kub, por e kemi gati të pamundur ta dërgojmë", thotë në druvar nga Hasi. Në Prizren dhe qytete të tjera, drutë e zjarrit i përdorin jo për ngrohje, por për furra buke speciale dhe për pica.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›