IOC: Do të pranojmë Kosovën
Kosova mund të bëhet shteti më i ri që merr pjesë në Olimpiadën e Pekinit, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), do të njohë pavarësinë e saj. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur presidenti i Komisionit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të IOC, Mario Peskante. "IOC do të njohë pavarësinë e Kosovës, mund ta them këtë që tani, ndonëse nuk është dhënë vendimi zyrtar. Kosova ka bërë prej kohësh aplikimin për t‘u anëtarësuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Megjithatë, nuk jam optimist për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Pekinit", u shpreh Peskante në një konferencë për shtyp. Arsyeja kryesore ishte se kishin përfunduar pjesa më e madhe e kualifikueseve për pjesëmarrjen në Olimpiadë. Gjithsesi, federata të ndryshme në Kosovë janë vënë në lëvizje për të garantuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në kualifikueset e sporteve si karate, xhudo dhe boks.