Ukrainë dhe Francë: Surpriza kosovarëve për pavarësinë
Disa nga futbollistët kosovarë që aktivizohen në ekipe evropiane janë befasuar nga drejtuesit dhe tifozët e klubeve të tyre, të cilët u kanë bërë surpriza për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Vorskla Poltavas, Dmitro Kovshar, i cili është edhe deputet i Parlamentit ukrainas, ditën e diel i kishte bërë një surprizë treshes kosovare Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, duke i sjellë një tortë me flamurin kuqezi. "Ajo tortë kishte shijen më të veçantë nga të gjitha tortat që kishim ngrënë më parë", pohoi Dallku. "Jemi gëzuar shumë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Presidenti i klubit së bashku me trajnerin na kanë befasuar, duke na sjellë një tortë me flamurin kuqezi për të na uruar. Faleminderit edhe popullit të Shqipërisë, të cilët kanë bërë shumë për atë që ne e prisnim dhe e dëshironim prej shumë kohësh". Trajneri i Vorsklas ka vendosur që të dielën t‘i lërë të lirë tre kosovarët e ekipit, që të festonin pavarësinë e Kosovës deri në mëngjes. Ndërsa tifozët e Olimpik Marsejës, gjatë "derbit" kundër PSG-së, në stadiumin "Velodrom", kanë shpalosur një slogan të madh ku shkruhej "Independence!" (Pavarësi). Me këtë parullë tifozët francezë uruan Lorik Canën për shpalljen e pavarësisë në Kosovë.