E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inspektorati i Punës: Masa për parandalimin e aksidenteve nga moti i keq në ndërtim

TIRANË, 30 gusht/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore njoftoi sot subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit që të marrin masat e nevojshme parandaluese në rastet e motit të keq.

“Të gjithë subjektet që operojnë në sektorin e ndërtimit të marrin masat e nevojshme parandaluese në rast të parashikimit të një stuhie ose moti të keq. Siguroni skelat, vinçat, materialet dhe pajisjet në kantier. Hiqni dhe vendosni në vend të sigurt elementët e lirë që mund të shkaktojnë rrezik”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Po ashtu bëhet thirrje për të garantuar mbrojtjen e punëmarrësve duke ndërprerë punimet në kushte të rrezikshme.

“Vendosni shenjat paralajmëruese për sigurinë e të tretëve. Të garantojmë sigurinë e punëmarrësve dhe qytetarëve si dhe të parandalojmë aksidente që mund të ndodhin nga kushtet e papërshtatshme atmosferike”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithë territori i vendit është përfshirë sot nga reshje të dendura shiu, stuhi dhe erë të fortë që në disa raste ka shkaktuar edhe rrëzimin e pemëve.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›