E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter heroik me 10 vetë shkurorëzon Barcelonën



Interi mbërrin në finale pas 37 vitesh duke shkurorëzuar në shtëpinë e tyre ish-kampionët në fuqi të Evropës, Barcelonën. Goli i Pikesë, i shënuar në minutën e 84-t në mënyrë të dyshimtë, nuk mjaftoi që katalanasit të thyenin armatën zikaltër. Në minutën e dytë shtesë, Kërkiç shënoi një gol, por ai u anulua nga arbitri pas një pretendimi për prekje me dorë nga Ture.
Pjesa e parë
Interi arriti të rezistonte mjaftë mirë gjatë 45 minutave të para, edhe pse duhet thënë se gjithçka në fushën e lojës e kontrolluan vendësit. Skuadra e Guardiolës, që në fraksionin e parë të takimit e kishte raportin e qarkullimit të topit 76 me 24 për qind ndaj Interit, nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Dy rastet më të rrezikshme ishin ato të mesit në minutën e 31-të të takimit dhe gjuajtje me goditje dënimi e Ibrahimoviçit. Ky i fundit gjatë pjesës së parë ishte një ndër më të dobëtit për katalanasit, pasi asnjëherë nuk arriti të vine në provë portierin Hulio Sezar. Ndeshja u vështirësua akoma më tepër për Interin në minutën e 28-të, teksa Tiago Mota u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë zikaltërit me dhjetë lojtarë në një ndeshje kaq vendimtare. Mota u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, pas një goditjeje me shuplakë ndaj Pedros. Ekipi i Murinjos e mbylli pjesën e parë të ndeshjes vetëm me një gjuajtje në kuadratin e mbrojtur nga Valdes, që u bë nga Kivu.
Pjesa e dytë
Thuajse e njëjta skemë, me të njëjtët lojtarë, por me një Inter që mendonte tërësisht për mbrojtjen dhe me Barcelonën që qarkullonte topin, por pa mundur që të vinte seriozisht në provë Sezarin. Interi rezistoi mjaft mirë deri në minutën e 84-t, por një gol i dyshimtë i mbrojtësit Pike, nxiti katalanasit të besonin deri në sekondat e fundit. Zikaltërit e Murinjos, të vendosur të gjithë në mbrojtje, bënë sa mundën, por Kërkiç arriti të shënonte. Atëherë kur të gjithë tifozëve zikaltër iu duk sikur u shemb bota, ishte arbitri de Bleker ai që riktheu buzëqeshjen, pasi anuloi golin. Një festë e çmendur e trajnerit Murinjo në fund të takimit, teksa ka vrapuar si i marrë nga gëzimi, ishte më se e ligjshme. Ai, po shkruan historinë e Interit, por më parë duhet të mundë mësuesin e tij, Van Galin, pasi në finale do të ndeshet pikërisht me Bajernin.

Incidenti
I irrituar nga ngacmimet e Murinjos pak pasi përfundoi ndeshja, portieri i skuadrës së Barcelonës, Valdes është vërsulur drejt trajnerit zikaltër plot mllef, por e kanë penguar Muntari dhe disa lojtarë të tjerë të Interit. Më pas portieri vendës pati një tjetër përplasje edhe me Materacin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›