Shqipëria ngjit tri vende në FIFA
Shqipëria u ngjit tri vende në ranglistën botërore të FIFA-s për muajin prill, duke u pozicionuar tani e 80-ta (e 83-ta në mars 2010) me 406 pikë (+17 pikë rritja). Në Evropë, Kombëtarja jonë (e 39-ta) lë pas 14 vende. Më 25 maj, përfaqësuesja kuqezi e udhëhequr nga Josip Kuzhe do të zhvillojë ndeshjen miqësore me Malin e Zi në Podgoricë (takimi i dytë historik midis dy ekipeve, i pari 5-0 për Shqipërinë në vitin 1946), ndërsa më 2 qershor në “Qemal Stafa” do të luajë me Andorrën (ndaj saj kemi humbur 2-0 në vitin 2002). Mali i Zi renditet i 65-ti në FIFA (+5 vende rritja në prill), kurse Andorra e 201-ta. Josip Kuzhe e ka drejtuar Shqipërinë në katër miqësore dhe deri tani ka koleksionuar 2 fitore (Qipro, Irlanda e Veriut) dhe 2 barazime (Gjeorgji, Estoni). Takimi i parë zyrtar i kuqezinjve në kuadër të eliminatoreve të Euro 2012-ës është me Rumaninë në Bukuresht, më 4 shtator të këtij viti. Përsa u përket kundërshtarëve tanë në eliminatoret e Kampionatit Evropian, lajmi i mirë është se tani kemi dy skuadra poshtë vetes: Bjellorusinë dhe Luksemburgun. Franca ndodhet në Top-10 më të mirat e botës, por duke zbritur dy vende, tani e 10-ta. Rumania, kundërshtari ynë i parë zyrtar, ndodhet në vendin e 28-të (+4 vende në FIFA), Bosnja në të 51-in (-4 vende), Bjellorusia në të 81-n (-1 vend) dhe Luksemburgu në vendin e 127-të (-3 vende). Renditja botërore kryesohet tani nga Brazili (+1, 1611 pikë), që nga ana e tij ka lënë pas Spanjën (-1, 1565 pikë). Vendi i tretë mbahet nga Portugalia (+1, 1249 pikë).