E Diel, 1 Nëntor 2026

Riberi humb finalen e Madridit



Frenk Riberi po kalon padiskutim periudhen më të vështirë të karrierës së tij si futbollist. Pas përfshirjes në një skandal seksual, ai doli me karton të kuq në një ndeshje më të rëndësishme të skuadrës së tij. Pikërisht në sfidën e parë gjysmëfinaliste të Ligës së Kampioneve, ai ndërhyri ashpër ndaj sulmuesit të Lionit Lisandro Lopez dhe arbitri i takimit nuk nguroi që ta nxjerrë nga loja. Edhe pse mungoi në ndeshjen e kthimit ndaj rivalëve francezë, ku skuadra e tij fitoi me rezultatin 3-0 dhe u kualifikua për në finale, Riberi do mungojë sërish. Komisioni disiplinor i UEFA-s ka vendosur të pezullojë futbollistin francez me tre ndeshje, duke nënkuptuar që ai do mungojë në përballjen finale të 22 majit, e cila do zhvillohet në Madrid. “Jemi të shikuar nga një lajm i tillë. është e pakuptimtë dhe nuk e kuptojmë tendencën për ta marrë një dënim kaq të ashpër. Padiskutim që ne do e apelojmë këtë vendim dhe kemi besim që do merret një masë më e lehtë”, është thënë në komunikatën për shtyp të klubit të Bajernit. Në fakt, në shpjegimin e dhënë nga UEFA, faulli i shkaktuar nga Riberi ishte cilësuar si me dashje dhe mjaft i rëndë, ndaj edhe vendimi ka qenë i tillë. Gjithsesi, sipas rregullores, klubi ka tre ditë kohë për të apeluar vendimin. Pavarësisht se ndeshjet në të cilat ka munguar Frenk kanë qenë të shumta këtë sezon, ai mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Bajernit dhe mungesa e tij në finale e Champions-it do ishte një zhgënjim i madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›