E Diel, 1 Nëntor 2026

Pro dhe kundër fasadave të Tiranës, në “Pompidou”



Alma Mile

Thjesht një ndërmarrje artistike, apo një manovër politike? ç’përfaqëson projekti i fasadave të kryeqytetit? Shpërndan ai vërtetë një dozë optimizmi te qytetarët, apo ngjyrat e humbasin vlerën kur zbulon mjerimin që fshihet pas tyre? Një utopi, apo projekt gjenial? Mbi këtë çështje, palët ndahen. Janë krijuar edhe dokumentarë pro e kundër. Kjo temë u është dukur interesante kuratorëve të Qendrës së famshme të artit bashkëkohor në Paris, “Pompidou”, të cilët në ekspozitën e radhës kanë përzgjedhur edhe katër artistë shqiptarë, me punimet e tyre artistike, por dhe kundër fasadave. Nga 14 prilli, deri më 9 korrik në Sallën Jugore të Qendrës “Pompidou” do të jetë e hapur për publikun ekspozita “Premtimet e së shkuarës”, ku mes 50 artistëve, kryesisht nga vende të Evropës Qendrore e Lindore, marrin pjesë edhe shqiptarët Anri Sala, Edi Rama, Alban Hajdinaj dhe Gentian Shkurti. Tema që trajton ekspozita fokusohet kryesisht te raportet e artistit me pushtetin, ndaj edhe mes emrave pjesëmarrës ka edhe nga ata të konsideruar disidentë. Plot 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, ekspozita i rikthehet përballjes së hershme evropiane Lindje-Perëndim, duke parë nga një këndvështrim i ri historinë e vendeve të ish-bllokut komunist. Për Shqipërinë, kuratorët i janë referuar një ngjarjeje të re. Një ngjarje e prezantuar gati 7 vjet më parë, si një projekt artistik nga kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i cili më tej mori përmasa më të mëdha dhe pretendonte të përfshinte në të edhe komunitetin.
Rama e Sala janë “pala” pro fasadave, ndërsa Hajdinaj e Shkurti përbëjnë “palën” opozitare. Rama u paraqit me një seri skicash të fasadave të pikturuara, ndërsa Sala me dokumentarin e tij “Dammi kolori”, ku paraqet projektin e iniciuar me rastin e Bienales së Tiranës 2003, duke e komentuar si një projekt që ofroi optimizëm në një qytet që dukej si i vdekur. Një dokumentar që është shfaqur në shumë ekspozita dhe ka tërhequr jo pak vëmendje.
“Opozitarët”
Në të njëjtin vit, si “rezistencë” artistike karshi projektit të fasadave vijnë dy dokumentarët e Alban Hajdinajt e Gentian Shkurtit. Në dokumentarin e tij “eye to eye” (“Ballë për ballë”) prej 4 minutash e gjysmë, Hajdinaj ofron pamjen e një prej pallateve të pikturuar, parë me sytë e një vajze, e cila ulet çdo ditë pranë dritares së apartamentit të saj. Vajza nuk bën asnjë veprim. Vështrimi i ngulur në fasadën larushane të pallatit përballë, shoqërohet me një lloj meditimi, që në këtë rast është edhe opinioni i artistit mbi këtë projekt. është vëzhgimi i brendshëm i një komunitari, i cili nuk ndihet pjesë e projektit që pretendon se e ka përfshirë edhe atë. Asaj çdo gjë i imponohet dhe është e pazonja të reagojë kundrejt tij. Ndërsa Gentian Shkurtaj i zhvlerëson tërësisht ngjyrat përmes dokumentarit të tij “Color Blind” (“Verbëri ngjyrash”- fitues i çmimit të dytë në konkursin “Onufri 2004”). Gjithçka ofrohet përmes një dialogu mes një djali që vuan nga “verbëria e ngjyrave” (daltonizmi) dhe një vajze, së cilës i kërkon t’i rrëfejë se si janë ngjyrosur pallatet e Tiranës. E teksa shëtisin nëpër kryeqytet, ajo mundohet t’i shpjegojë me radhë kombinimet koloristike në fasadat e pallateve, por që djali i sheh vetëm bardhë e zi. E ai nuk mundet t’i shijojë. E fjala është tërësisht e pavlerë.
Pa dashur të shkasin në rrafshe politike, Hajdinaj e Shkurti i kundërpërgjigjen artistikisht një projekti që u paraqit si i tillë. Përmes dokumentarëve të tyre, projekti i fasadave duket një utopi, e cila ofron një optimizëm të rremë dhe e mban komunitetin të papërfshirë. Dokumentarët e Salës, Hajdinajt dhe Shkurtit janë paraqitur disa vite më parë në një ekspozitë në Ljubianë, ku duket se nuk kanë kaluar pa rënë në sy. Kjo ishte nxitja e parë e organizatorëve të ekspozitës në “Ponpidou”, të cilët e panë me vend pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Ekspozita
“Premtimet e së shkuarës”, hapur në Qendrën “Pompidou” në Paris, paraqet punët e 50 artistëve, shumica e të cilëve ka jetuar në Evropën Qendrore dhe Lindore. Titulli i ekspozitës është huazuar nga filozofi gjerman Valter Benjamin (1892-1840). është një shprehje e përdorur në analizat e tij mbi historinë, si një sërë ngjarjesh të shkëputura. Dhe vendet e Evropës Lindore janë shembuj të spikatur të kësaj dukurie. Përmes kësaj ekspozite, Qendra “Pompidou” shpreson t’i zbulojë publikut artistë, të cilët janë shquar për punën e tyre artistike dhe tematikën, në vendet e tyre të origjinës, por edhe ndikimin që ata kanë pasur mbi brezin e ri të artistëve ndërkombëtarë. Janë përzgjedhur vepra të artistëve më emblematikë të këtij rajoni, mes të cilëve emra si Sanja Ivekoviæ, Dimitrije Bašièeviæ Mangelos, Július Koller, Alina Szapocznikoë apo Edëard Krasiñski. Rreth 160 vepra arti, të mediumeve të ndryshme janë ekspozuar në Galerinë Jugore të Qendrës Pompidou, mbi bazën e gjashtë temave kryesore: Përtej utopisë moderne, Potpuria e tërësisë, Anti-art, Gjeste mikro-politike, gjeste poetike; Femërore-feministe; Hapësira publike-hapësira private. Gjithçka në një skenografi origjinale të realizuar nga polakja Monika Sosnoëska. Në hapësirën 315, një instalacion i jashtëzakonshëm i artistit nga Sllovenia, Tobias Putrih ofron dokumente arkivore mbi Evropën Lindore. Gjithashtu do të ekspozohen edhe të tjera materiale arkivore që dëshmojnë për shkëmbimet artistike mes Parisit dhe Evropës Lindore, si dhe filma artistikë dhe dokumentarë mbi këtë temë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›