Shkollë restaurimi në Gjirokastër
Rreth 40 studentë restauratorë nga Ballkani, prej disa ditësh gjenden në Gjirokastër për të marrë pjesë në rehabilitimin e zonës historike të qytetit. “Gjatë dy javëve, studentët do të stërviten qoftë nga ana teorike, si dhe ajo praktike, mbi teknikat dhe teoritë e restuarimit, si dhe më gjerë mbi fushën e trashëgimisë kulturore”, shprehet Boiken Abazi, përfaqësuesi i Cultural Heritage Without Borders, duke vijuar më tej se pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, përfshijnë të rinj nga të gjithë vendet e Ballkanit, si dhe studentë të degës së arkitekturës në Universitetin jo publik “POLIS” në Tiranë. Gjatë Kampit, pjesëmarrësve do t’u jepet mundësia të njohin nga afër qytetin e Gjirokastrës, pjesë e Trashëgimisë Botërore. Gjatë dy javëve, vullnetarët pritet të ndërhyjnë në një prej objekteve Monument Kulture i Kategorisë së Parë, pronë e familjes Babameto, ku ata do të stërviten nga disa mjeshtëra artizanë me përvojë mbi njohuritë bazë për përdorimin e teknikave dhe materialeve tradicionale me të cilat janë ndërtuar monumentet në Gjirokastër. Vetë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të punojnë gurin, drurin dhe suvanë sipas teknikave dhe materialeve tradicionale. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes, do të marrin njohuri teorike mbi fushën e trashëgimisë kulturore, dhe më në veçanti mbi monumentet e kulturës në Gjirokastër. Leksionet priten të mbahen nga profesorë suedezë të Universitetit të Stokholmit Dega e Arkitekturës, Universiteti i Londrës për Arkitekturën, pedagogë nga Universiteti POLIS, si dhe nga specialistë me përvojë nga vendet e Ballkani si Emin Riza, Ibrahim Canbulat, etj.