Erion Veliaj shpalos në pranverë të 2008-ës lëvizjen e re
Do të nisë në pranverën e 2008-ës lëvizja e re politike e Erion Veliajt. Ish-drejtuesi i "Mjaft"-it ka konfirmuar për "Shqip" se ka ngritur grupin organizativ të përbërë prej 100 vetash që do të punojnë për fushatat e para që do të shpallen, duke besuar se në pranverën e këtij viti, lëvizja e tij do të injektohet brenda kampit opozitar. "Me idetë që futi ‘Mjaft‘-i zhdërvjelltësoi gjithë shoqërinë civile dhe unë dua të them se me idetë që duam të fusim në këtë lëvizje alternative do ta zhdërvjelltësojmë opozitën. Këto janë disa metoda që përdoren në shumë vende të botës, ndaj theksoj se do të ishte një injeksion pozitiv opozitar në Shqipëri", tha Veliaj. Sipas tij, kjo pranverë do ta gjejë Shqipërinë me një opozitë shumë më të sofistikuar sesa kjo opozitë që kemi sot. "Nuk ka asnjë pikë dyshimi që në vitin 2009 nuk mund të vazhdohet më me Nanon dhe Berishën e çdo gjë të vjetër", tha Veliaj. Duke mbështetur fuqishëm faktin se figurat e vjetra duhet të largohen nga politika, Veliaj shtoi se "nëse do të ketë një gjë për të votuar, nuk është më vota për të majtën ose të djathtën, do të votohen midis dy raca njerëzish, d.m.th dy mentalitete që nuk përputhen. Unë aktualisht në Shqipëri nuk mund të realizoj ëndrrat dhe nuk mund të bëj plane për jetën, duke u ndjerë i pafuqishëm që nuk arrita të ndryshojë dot realitetin në politikë. Momentalisht bëj një skaner të të gjitha vendeve evropiane dhe nuk rezulton asnjë vend sot në Evropë që qeveriset nga të njëjtët njerëz që dolën nga 1989 ose 1990-ta. As në Ballkan as kudo". Ish-drejtuesi i MJAFT-it ka krahasuar dy mentalitetet e politikës shqiptare me atë kosovare. "Në qoftë se kosovarët ishin të gatshëm që të shkriftonin gjithë sferën politike vetëm në dhjetë vjet pas luftës, s‘ka arsye pse shqiptarët 20 vjet pas diktaturës, nuk ka arësye pse shqiptarët ta shkriftojnë atmosferën politike", tha ai. Duke e lidhur lëvizjen e tij me ndryshimet e reja që priten të bëhen brenda skenës politike, Veliaj theksoi se në diferencë me lëvizjen e tij "ata" në të kaluarën janë përfshirë në politikë, kurse lëvizja e tij do të përfshijë njerëz jo të involvuar në politikë më parë. "Kjo lëvizje do të tregojë se njerëzit janë të suksesshëm edhe pa u përfshirë në politikë", theksoi ai. Megjithëse i tërhequr nga drejtimi i MJAFT-it, Erion Veliajt nuk i kanë munguar notat negative në adresë të punës së qeverisë. Ish-drejtuesi i "Mjaft"-it ka hedhur akuza për paradën e zhvilluar më 4 dhjetor dhe ushtrinë shqiptare, të cilën e cilëson larg profesionalizmit. Akuzat vazhdojnë edhe për politikën shqiptare në lidhje me çështjen më delikate të së gjithë botës, pavarësinë e Kosovës. Veliaj e ka cilësuar politikën shqiptare të pazhdërvjellët për t‘i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje dhe qeverinë shqiptare fajtore për mosreagimin e saj, duke mos bërë punën që elektorati ia besoi në zgjedhjet e 3 korrikut.