Kamza në kaos, automjetet kthehen mbrapsht
Edhe pse një ditë më parë Ministria e Transporteve njoftoi në media se aksi Tiranë-Kamëz-Fushë Krujë është i pakalueshëm, drejtuesit e automjeteve kanë rënë në rrjetën e trafikut. Ata kanë pritur me orë të tëra, një herë për të kaluar deri në hyrje të kthesës së Kamzës dhe pastaj për t‘u kthyer mbrapsht. Një kaos lëvizjeje dhe tendosje nervash për shoferët ka qenë paraditja e djeshme, në periferi të kryeqytetit. Mijëra makina, që lëviznin nga qytetet veriore dhe verilindore të vendit dhe anasjelltas tashmë duhet të shmangin totalisht kalimin përmes Kamzës, deri kur të ndërtohet mbikalimi në këtë zonë.
Ministria e Transporteve njofton se lëvizja duhet të jetë vetëm nga autostrada e Durrësit. Pra i vetmi aks i kalueshëm nga kryeqyteti në drejtim të Veriut është ai nga "autostrada Durrës-Rinas-Fushë Krujë". Ky itinerar do të kryhet deri në një njoftim të dytë të Ministrisë së Transporteve.
Aksi rrugor i Kamzës është një rrugë nacionale, që lidh Tiranën me shumë qytete, si Laçi, Kruja, Shkodra, Kukësi, Tropoja, Rrësheni, Lezha, Burreli dhe Peshkopia. Të painformuar për bllokimin e rrugës, mijëra automjete, që dilnin nga Tirana, tentuan të hyjnë në rrugën e Kamzës dhe mbetën në trafik. Për pasojë lëvizja u vështirësua, që nga kryqëzimi i "Zogut të Zi", deri te kthesa e Kamzës, ku makinat e nisura për atje ktheheshin mbrapsht për në autostradën e Durrësit.
Gjatë kohës që rruga është e bllokuar, për të ndihmuar lëvizjen e automjeteve do të ketë prezencë të Policisë Rrugore dhe personelit të kompanisë ndërtuese, në rrugën e Kamzës.
Njihet si një nga akset më të vështira, ai që kalon përmes Kamzës. Gjithnjë me trafik të rënduar automjetesh, pasi përmes një zone urbane kalojnë çdo ditë mijëra makina.