Donatorët, kritika qeverisë për KESH-in
Donatorët janë shprehur
të pakënaqur dhe kanë
lëshuar kritika të forta mbi
qeverinë shqiptare për
pasivitetin e treguar në menaxhimin
e sektorit energjetik. Të lodhur nga
zgjatja pa fund e krizës energjetike
në vend, ata i drejtohen me tone të
ashpra qeverisë, duke kërkuar shpjegime
se pse nuk i ka përmbushur
detyrat që i ishin ngarkuar dy vjet
më parë. Me anë të një letre zyrtare,
drejtuar ministrit të Ekonomisë,
Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli,
drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme,
që kanë dhënë më shumë
kredi për Shqipërinë, shprehen të
shqetësuara, për faktin se qeveria
nuk ka ende asnjë plan konkret për të
normalizuar situatën energjetike në
vend. "Po ju shkruajmë për të shprehur
shqetësimin tonë të thellë lidhur
me mungesën e një plani të rifreskuar
veprimi të sektorit energjetik për vitin
2008-2010. Siç e dini, marrëveshja në
kohë dhe miratimi i një plan-veprimi
të pranueshëm është një detyrim i
qeverisë së Shqipërisë për disa nga
projektet tona", thuhet në letrën që
drejtuesit e Bankës Botërore, Bankës
Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,
bankës gjermane KFW-së dhe
sekretariatit zviceran të Shtetit për
Çështjet Ekonomike. Më tej, donatorët
shkruajnë: "Siç e mbani mend,
gjatë takimit të donatorëve në Tiranë
nëntorin e kaluar u diskutua nevoja
për një plan-veprimi të rinovuar.
Të gjithë donatorët i vunë në dukje
qeverisë shqiptare rëndësinë e një
plan-veprimi për sektorin energjetik.
Miratimi dhe zbatimi i një plani të
tillë do të ishte garanci, se asistenca
e donatorëve është vendosur në një
kuadër me bazë të fortë, që mund të
përmirësojë performancën afatgjatë
dhe afatshkurtër të sektorit. Gjatë takimit
ne u siguruam nga ministri juaj,
KESH-i, dhe Autoriteti Rregullator se
një plan i rinovuar veprimi do të ishte
gati për diskutim dhe do të miratohej
përpara fundit të 2007-ës".
Shkaqet
Donatorët i kujtojnë qeverisë se
nëntorin e kaluar ata kërkuan një
plan-veprimi të rinovuar për sektorin
e energjisë elektrike, pasi, sipas tyre,
ky plan do të ishte garanci ligjore për
financimet që ata do të kryenin. Ata
vërejnë se edhe pse këtë plan qeveria
duhet ta kishte gati në fund të vitit
2007, ai ka mbetur një tentativë, pasi
ka dështuar përpjekja e qeverisë për
tarifat e reja të energjisë elektrike.
Në dy vjet qeveria duket se nuk ka
arritur të përmbushë detyrat që i
ishin ngarkuar nga donatorët. Madje,
këta të fundit akuzojnë edhe për
mungesë gatishmërie. Duket se një
nga shkaqet më të rëndësishme për
këtë ka qenë vendosmëria e qeverisë
për të mos lejuar rritjen e çmimit të
energjisë elektrike. "Ne po kuptojmë
se, përveç disa drafteve të hershme të
përgatitura nga KESH-i, plani për veprim
i sektorit të energjisë nuk mund
të marrë formë përfundimtare, pasi
nuk ka pasur një miratim të tarifave
të reja për elektricitetin në 2008-ën.
Për më tepër, nuk ka asnjë angazhim
apo datë për shpalljen e tarifave të
reja dhe as një nivel mbi rritjen e
planifikuar. Duke parë të tilla pasiguri,
një plan-veprimi kuptimplotë
nuk mund të përgatitet. Kjo tregon
se për të dytin vit rresht, qeveria e
Shqipërisë dhe institucionet e saj nuk
kanë qenë në gjendje të përgatisin
dhe të paraqesin në kohë një plan
të qartë, që merret me problemet e
elektricitetit në vend", shkruhet në
letër. Sipas donatorëve, e gjitha kjo
ndodh në një mjedis me ndërprerje
të vazhdueshme të energjisë elektrike
në Shqipëri dhe në një kohë kur vetë
ata i kanë premtuar qeverisë më
shumë se 250 milionë dollarë për
projektet e miratuara rishtazi, apo në
zbatim e sipër.
Kërkesa
Në këtë pikë, donatorëve u ka
mbetur vetëm që të rrisin presionin
mbi qeverinë shqiptare, për ta vënë
këtë të fundit në lëvizje. "Do ta vlerësonim
vërtet shumë, nëse do të na informoni
me urgjencë se në ç‘pikë jeni
me përgatitjen e një plani të rinovuar
veprimi, si dhe kur do të jetë në gjendje
qeveria shqiptare t‘ia paraqesë një
plan të miratuar komunitetit të donatorëve",
përfundon letra, ndër më të
fortat që i është drejtuar ndonjëherë
zyrtarisht një qeverie shqiptare.