E Diel, 1 Nëntor 2026

Izraeli tërheq trupat nga Gaza, "Hamas"-i pretendon "fitore"

Trupat izraelite u tërhoqën nga Rripi i Gazës të hënën, pas një apeli të SHBA-së për t‘u dhënë fund ditëve të luftimeve, që u morën jetën më shumë se 100 palestinezëve dhe për të shpëtuar bisedimet e paqes. Islamikët e "Hamas"-it, që kanë kontrollin e enklavës bregdetare, shpallën fitoren dhe premtuan se do të vazhdonin të hidhnin raketa në Izrael, e madje e bënë këtë menjëherë pasi trupat filluan tërheqjen, duke plagosur një person në qytetin më të madh jugor, Ashkelon. Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha se pavarësisht përfundimit të operacionit pesëditor, Izraeli do të vazhdonte me aksione të mëtejshme ushtarake në Gaza deri sa raketat të ndaleshin. "Ne nuk do të qëndrojmë duarlidhur, por do të reagojmë", tha Olmert në një deklaratë për shtyp. Një zyrtar i lartë izraelit tha, gjithsesi, se do të kishte një pauzë dyditore për shkak të vizitës së sekretares amerikane të Shtetit, Kondoleca Rajs. Izraeli ka qenë nën presion edhe nga aleatët e tij në Uashington për të ndalur dhunën, pasi Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, pezulloi bisedimet e mbështetura nga SHBA-ja në shenjë proteste për gjakderdhjen. Duke folur pas tërheqjes, negociatori i lartë palestinez, Saeb Erekat, tha se bisedimet, që Uashingtoni shpreson të përfundojnë me një marrëveshje për shtetin palestinez, këtë vit do të mbeten të ngrira për momentin. "Ne po punojmë shumë për të arritur një zbutje të situatës, një përfundim të plotë të armiqësisë. Ne duam të sigurohemi se ajo që ka ndodhur nuk do të përsëritet", tha Erekat. Në qytetin e Gazës ndërkohë, disa mijëra mbështetës të "Hamas"-it dolën nëpër rrugë për të festuar tërheqjen. Njerëzit me armë në duar brohorisnin: "Pushtuesit u larguan, ushtria hebreje u mund". Kabineti izraelit i sigurisë ka në plan të mblidhet të mërkurën për të vendosur se cilët do të jenë hapat e radhës së qeverisë në Rripin e Gazës. Ndërkohë, Havier Solana, shefi i politikës së jashtme në Bashkimin Evropian, tha pas një takimi me liderët izraelitë: "Për ne evropianët, gjëja më e rëndësishme është të mbahet hapur një mundësi për procesin e paqes. "E di që kjo tingëllon pak më optimiste se ç‘duhet në këto momente që po kalojmë". Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleca Rajs, do të zhvillojë ndërkohë bisedime në Jerusalem dhe Ramallah, në përpjekje për të rivënë në lëvizje procesin e paqes. Deri më tani bisedimet kanë arritur pak progres dhe të dyja palët janë të ndara në lidhje me qëllimin e një marrëveshjeje. Abbas kërkon një marrëveshje të plotë paqeje, që do t‘i mundësonte atij shpalljen e një shteti, ndërsa Olmert thotë se qëllimi është një akord mbi parimet bazë. Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se 116 palestinezë janë vrarë në ofensivën e Gazës dhe grupet militante saktësojnë se më shumë se gjysma e tyre janë civilë. Sipas Kryeministrit Salam Fajad, numri i të vdekurve është 110, 350 janë të plagosurit, ndërsa situata është e paprecedentë që nga lufta e 1967-ës me Izraelin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›