E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmadinexhad deklaron në Bagdad: Trupat amerikane, fyerje për rajonin

Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, tha se prania e trupave të huaja në Irak është një fyerje dhe poshtërim për tërë rajonin. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Irak, ai tha se fuqitë kryesore nuk duhet të ndërhyjnë në çështjet rajonale. Ahmadinexhad kërkoi tërheqjen e menjëhershme të trupave të huaja. Kjo është vizita e parë, që një President iranian bën në Irak. Dy vendet kanë qenë përballë njëri-tjetrit në një luftë tetëvjeçare, kur Sadam Hyseini pushtoi Iranin, në vitin 1980. Ahmadinexhad nuk i përmendi Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehimisht, por Uashingtoni vazhdon të ketë më shumë se 150 mijë ushtarë në Irak, edhe pse kanë kaluar rreth pesë vjet që nga ndërhyrja në këtë vend. Presidenti iranian dhe homologu i tij irakian, Xhalal Talabani, nënshkruan ndërkohë të hënën një numër marrëveshjesh për bashkëpunim mbi tregtinë dhe transportin. "Pa praninë e trupave të huaja, rajoni do të jetonte në paqe dhe vëllazëri", tha Ahmadinexhad. "Ne mësojmë se forcat që vijnë nga përtej detit dhe udhëtojnë me mijëra kilometra për të ardhur deri këtu, duhet të largohen nga rajoni dhe t‘ua lënë përgjegjësitë njerëzve të këtij vendi", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›